Vendosni fjalën kyçe....

Vdes në burgun në Maqedoni të Veriut shtetasi shqiptar i sëmurë me kancer, nuk iu dha asnjë ndihmë mjekësore   


Azbi Kaba, një shtetas shqiptar nga Peshkopia, i cili vuante nga kanceri, ka ndërruar jetë në një burg në Idrizov të Maqedonisë së Veriut, pa asnjë ndihmë.

Ngjarja e rëndë është denoncuar nga Report TV, që citon burime brenda burgut. 47-vjeçari Kaba ishte diagnostifikuar me kancer para 5 muajsh po pavarësisht kësaj nuk ishte shtruar në spital dhe nuk iu dha asnjë ndihmë mjekësore.

Në vizitën e vetme në spital, mjekët i dhanë Kabës vetëm 2 muaj jetë megjithatë atij nuk iu dha asnjë ndihmë mjekësore. Po kështu Report TV denoncon se asnjë përfaqësues i ambasadës shqiptare në Shkup nuk e vizitoi të ndjerin.

47-vjeçari ishte dënuar me 7 vite burg për trafik droge dhe i kishin mbetur edhe katër vite dënim. Pas denoncimit të rastit, zv.ministri i Drejtësisë së vendit fqinj ka thënë se ka nisur verifikimet.

Ndërkohë, të burgosur të tjerë shqiptarë në këtë burg të Maqedonisë vuajnë dënimet të braktisur totalisht nga autoritetet shqiptare. Qelitë janë të mbipopulluara pasi në to qëndrojnë deri në 9 persona edhe pse kanë kapacitet për 4 persona, ka myk e lagështirë në qeli e të burgosurit nuk kanë as të drejtat elementare.