Vendosni fjalën kyçe....

Inteligjencia artificiale mund të parashikojë Alzheimer-in me saktësi 92% – Studimi


Inteligjenca artificiale tani mund të parashikojë nëse dikush do të zhvillojë demencë brenda dy viteve, pretendon një studim i ri. Studiuesit shpresojnë se teknologjia do të pakësojë diagnozat e gabuara dhe do i ndihmojë mjekët ta kapin gjendjen më herët.

Studiuesit nga Universiteti i Exeter në Mbretërinë e Bashkuar morën të dhëna nga më shumë se 15,000 pacientë të klinikës së kujtesës në SHBA dhe e përdorën këtë informacion për të stërvitur algoritmet e mësimit të makinerive për të dalluar modelet midis tyre.

Pas analizimit të këtyre të dhënave, Inteligjenca Artificiale ishte në gjendje të zbulonte se kush do të zhvillonte demencë brenda dy viteve të ardhshme me saktësi 92%, sipas një studimi të publikuar nga shkencëtarët të enjten.

Rreth 258 variabla u analizuan për të përcaktuar rrezikun e demencës së secilit pacient, por algoritmi i mësimit të makinës ishte në gjendje të arrinte një nivel saktësie prej 91% me vetëm gjashtë nga këto variabla.

Për më tepër, studiuesit zbuluan se rreth 8% e pacientëve ishin diagnostikuar gabimisht me demencë, me sistemin ‘AI’ (Artificial Inteligence) që gjeti 80% të këtyre diagnozave të gabuara.

Tani për tani mjekët mund të përdorin një sërë mjetesh ndihmëse vendimmarrëse për të parashikuar rrezikun e një pacienti për zhvillimin e demencës në një afat kohor më të gjatë, të tilla si Vlerësimi i Rrezikut CAIDE, i cili parashikon rrezikun 20-vjeçar për demencën tek njerëzit e moshës së mesme; dhe rezultati BDSI, i cili identifikon pacientët e moshuar në rrezik të demencës në gjashtë vitet e ardhshme.

Demenca është një term i përgjithshëm për një sërë çrregullimesh neurologjike progresive që ndikojnë në kujtesën, të menduarit dhe sjelljen, nga të cilat sëmundja e Alzheimerit është më e zakonshme.

Sipas Alzheimer’s Disease International, mbi 55 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me demencë në vitin 2020. Ky numër parashikohet të dyfishohet, duke arritur në 78 milionë në vitin 2030 dhe në 139 milionë në vitin 2050, me rritjen e përqindjes së të moshuarve në mbarë botën.