Vendosni fjalën kyçe....

Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së 29-vjeçarit në Tiranë, punonjës policie në Dibër


Është identifikuar autori i dyshuari vrasjes së 29-vjeçarit Jurgen Duka në Tiranë, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit. Sipas policisë, autori i dyshuar është Arbër Sula, punonjës policie në Dibër.

Në njoftim bëhet me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti çasti mes viktimës e autorit të dyshuar i cili nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes.

Gjatë kontrollit të 29-vjeçarit Jurgen Duka, policia ka gjetur një sasi prej 2.8 gramësh drogë e dyshuar kokainë ndërsa në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një gëzhojë pistolete.

Njoftimi

“Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit J. D. (M).

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit J. D. (M.), i cili është shtetasi A. S., banues në Sauk, punonjës policie në DVP Dibër. Po nga veprimet hetimore të kryera dhe deklarimet e marra nga personat që ishin prezent në vendngjarje ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes. Gjithashtu, grupi hetimor gjatë kontrollit të rrobave të shtetasit J. D. (M.), ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.8 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një DVR me pamjet filmike të ngjarjes. Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor në bashkëpunim me SHÇBA-në vijon punën intensive për dokumentimin e plotë të ngjarjes.”