Vendosni fjalën kyçe....

Kim flet për herë të parë pas Kuvendit të Berishës: SHBA-të dhe Shqipëria e mbajnë gjithnjë njëra-tjetrën afër


Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, ka ndarë sot me ndjekësit në rrjetet sociale një mesazh të ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri në vitet 1991-1994, William Edwin Ryerson.

Në këtë mesazh, diplomati Ryerson kujton një moment kur një polici shqiptar i rridhnin lotët, teksa dëgjonte fjalët e Sekretarit Baker se “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”.

Ambasadorja Kim u thotë ndjekësve të mos harrojnë që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria e mbajnë gjithnjë afër njëra-tjetrën.

Ky është mesazhi i parë i ambasadores Kim, pas Kuvendit të PD-së të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, të mbajtur një ditë më parë.

Berisha gjatë fjalimit të tij bëri akuza të forta ndaj ambasadores Kim, duke e quajtur atë “guvernatore” dhe se po sillet njëlloj si ish-ambasadori i Bashkimit Sovjetik.

“Eshtë e trishtuar, e dhimbshme të shohësh ambasadorë të SHBA-ve të sillet si guvernatorë, njëlloj si dikur ambasadori subjektiv në Tiranë.”– ishin fjalët e Berishës.

MESAZHI I AMBASADORES

Ndërsa po i afrohemi fundit të vitit 2021, i cili shënon 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, doja të ndaja këtë mesazh të Ambasadorit Ryerson, sidomos duke filluar nga minuta 2:09: “Një nga momentet më treguese ndodhi gjatë vizitës së Baker-it. Ndërsa Sekretari po fliste, unë po qëndroja pranë makinave të autokolonës, pranë një polici shtatlartë e të ngyrsur. Ndërsa Baker tha “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, pashë një lot të rridhte në faqen e atij polici”.

Ky moment tregues i rrëfyer nga Ambasadori Ryerson është po aq i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i vërtetë sot sa ishte 30 vjet më parë. Le të mos harrojmë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gjithnjë e mbajnë njëra-tjetrën afër.