Vendosni fjalën kyçe....

Basha mesazh anëtarëve të Këshillit Kombëtar: Mbledhja në 15:00, PD nuk do të mbahet peng dhe s’do të tërhiqet zvarrë nga askush


Kreu i PD-së Lulzim iu kujton anëtarëve të Këshillit Kombëtar për mbledhjen që ai ka thirrur sot në 15:00, ku shprehet se do të merren vendime me rëndësi.

Basha shkruan se PD nuk do të mbahet peng dhe nuk do të tërhiqet zvarrë nga askush, as nga ai që sipas tij sot po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar,
Sot Këshilli Kombëtar mblidhet në ora 15:00 për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e Partisë Demokratike. PD nuk do të mbahet peng dhe nuk do të tërhiqet zvarrë nga askush! As nga ai që sot po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal, në luftë të hapur me SHBA. Askush, përfshirë Sali Berishën, nuk do të ketë shansin të kërcënojë demokratët në shtëpinë e tyre. PD që u themelua si shtëpia e lirisë, nuk do të shndërrohet në bunker për askënd, as sot as kurrë. Ne do vazhdojmë të çliruar dhe të vendosur betejën tonë kundër regjimit të Edi Ramës për ta sjellë në pushtet Partinë Demokratike, që është shpresa e vetme e shqiptarëve për të ardhmen dhe për ndryshim! Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.”– shkruan Basha në mesazhin që sipas disa medieve u është drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Mbledhja e sotme vjen si një kundërpërgjigje pas Kuvendit të djeshëm të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha ku u votua për shkarkimin e Bashës si kryetar partie.