Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi nxjerr dokumentet: 69% e delegatëve kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendi Kombëtar të 18 dhjetorit, le të vijë edhe Berisha


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se 5259 anëtarë të Kuvendit Kombëtar kanë pohuar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e thirrur më datë 18 dhjetor, shtatë ditë pas atij që do mbahet ditën e nesërme nga Berisha e mbështetësit e Foltores së ish-kryeministrit.

Në një konferencë shtypi pak çaste pas një deklarate të Berishës, numri dy i selise blu tha se 69% e delegatëve kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin e 18 dhjetorit duke mos iu përgjigjur atyre që i quajti deklarata përçarëse të Sali Berishës. Më pas ai bëri më dije edhe numrin e delegatëve sipas qarqeve që kanë firmosur për 18 dhjetorin.

“Në fakt anëtarët e Kuvendit nuk i kanë hedhur në kosh. Delegatët kanë konfirmuar masivisht pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të PD-së. Secili ka nënshkruar në prani të një zyrtari pjesëmarrjen në Kuvend. Kësaj thirrjeje përçarëse nuk i janë përgjigjur 5259 anëtarë të Kuvendit Kombëtar, ose 69% e tyre. Në Dibër kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar tyë PD-së më 18 dhjetor 305 anëtarë delegatë, në Qarkun Korcë 326 anëtarë, në qarkun Berat 287 anëtarë, në Qarkun Lezhë 258 anëtarë të Kuvendit Kombëtar, në Qarkun Shkodër 389 anëtarë, në Qarkun Gjirokastër 205 anëtarë, në Qarkun Vlorë 342 anëtarë, në Qarkun Fier 508 anëtarë, në Qarkun Durrës 308 anëtarë, në Qarkun Elbasan 544 anëtarë, në Qarkun Tiranë 1326 anëtarë, në Qarkun Kukës 112 anëtarë.  Po kështu kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe 302 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së. 1146 anëtarë të Kuvendit Kombëtar nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të PD-së më 18 dhjetor. Një pjesë e tyre raportohet se janë në emigracion “ – tha Bardhi.

Ai shtoi më tej se një pjesë e delegatëve që kanë firmosur më herët për mbledhjen e një Kuvendi nuk kanë përcaktuar datë dhe se e kanë bërë ketë të vetëdijshëm për nevojën e një mbledhjeje të tillë.

Sipas Bardhit, nesër asnjë institucion zyrtar i PD-së nuk ka asnjë tubim apo organizim. Po kështu ai tha se ndaj 11 kryetarëve të degëve që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e Kuvendit të 18 dhjetorit do hartohet një raport e më pas kryesia e partisë do vendosë për ta.

“11 kryetarë të degës nuk kanë pranuar që të jenë pjesë e procesit të 18 dhjetorit. Të gjithë ata që nuk kanë kryer përgjegjësitë, si sekretar kam nisur përgatitjen e një raporti dhe shumë shpejt do të mblidhet Kryesia për të parë veprimet e mëtejshme.” – tha ai.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Sekretari i Përgjithshëm tha se PD-ja nuk përjashton askënd dhe të gjithë demokratët janë të ftuar të marrin pjesë në Kuvendin e 18 dhjetorit.

Numri dy i selisë blu theksoi se qëllimi kryesor i kryesisë së partisë është të mos vërë përballë njëri-tjetrit asnjë demokrat siç ka bërë Foltorja. Ai pohoi se në Kuvend është i ftuar edhe ish-kryeministri Berisha për të ngritur ato çështje që mendon se duhen diskutuar.

“Selia e PD është pronë e demokratëve dhe asnjë demokrat nuk është përjashtuar për të qenë në seli. Çdo anëtar i PD është i ftuar të vizitojë selinë qendrore. Deklarata të papërgjegjshme të një njeriu , zëdhënësja e foltores, që flet në emër të demokratëve ndërkohë që nuk përfaqëson asnjë demokrat sepse s’ka bërë asnjë betejë, s’mund të na tregojë apo të mësojë se çfarë të bëjnë demokratët. Ne kemi vetëm një betejë, me Edi Ramën. Përgjegjësia jonë është që të mos vendosim asnjë demokrat përballë një demokrati tjetër. Edhe pse jemi fyer , baltosur, nuk keni dëgjuar kurrë asnjë prej nesh të anatemojë askënd sa kohë është anëtar i Partisë Demokratike. Është përgjegjësi e jona është të mos krijojë përçarje.” – tha Bardhi.

Ditën e nesërme ish-kryeministri Berisha ka njoftuar mbajtjen e atij që e quan Kuvendi i demokratëve, që do zhvillohet në stadiumin ‘Air Albania’ ku do mblidhen një pjesë e delegatëve të PD-së.

Lëvizja e Berishës vjen si kulmim i Foltoreve të organizuara prej tij në mbarë vendin pas shpalljes ‘non grata’ të tij nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, që u pasua nga vendimi i kryedemokratit Basha për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së.

Ai e ka akuzuar Bashën si pengun e Edi Ramës duke theksuar se me 11 dhjetor do ketë rithemelim të PD-së.