Vendosni fjalën kyçe....

Berisha “non grata”, Basha: Padyshim ishte temë diskutimi, por do i dëgjoni nga Escobar qëndrimet e DASH-it


Në daljen e sotme për mediet, pas takimit me zyrtarin e lartë Gabriel Escobar, kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj edhe disa pyetjeve nga gazetarët.

Një ndër këto pyetje ishte nëse në takim u diskutua edhe për shpalljen e Sali Berishës “non grata” në SHBA, për të cilën Basha pohoi se kishin diskutuar. Por se qëndrimet e DASH do i bënte me dije vetë Escobar më vonë.

“Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve  që i takojnë vendimeve të  Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit?”– tha Basha.

Kujtojmë se kjo vizitë e Escobar vjen vetëm dy ditë përpara mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Berisha më 11 Dhjetor dhe që do mbahet në stadiumin “Air Albania”.

Basha u pyet gjithashtu nëse ka planifikuar ndonjë udhëtim në Washington duke qenë se mori një ftesë nga Escobar.

“Është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres me kënaqësi dhe padiksutim po planifikoj një vizitë në Ëashington në mënyrë që të shtyjmë përpara jo vetëm objektivat  politike të Partisë Demokratike, por atë që është sot agjenda e çdo familje shqiptare, dalja nga kjo gjendje pezullie, dëshpërimi, plogështie që ka  shkaktuar 25 prilli dhe ecjen përpara të Shqipërisë me reformat politike, me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë që  garancitë janë spirancat e mirëqenies ekonomike dhe punësimit. Dy objektivave kryesore të shqiptarëve, dy objektivave kryesore të Partisë Demokratike.”– tha Basha.