Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Paris i dyshuari për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi


Arrestohet në Francë një burrë saudit i dyshuar për përfshirje në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

BBC shkruan se Khaled Aedh Alotaibi u arrestua të martën në aeroportin Charles-de-Gaulle. Ai është një nga 26 sauditët e kërkuar nga Turqia për vrasjen e gazetarit.

33-vjeçari, ish-roja mbretërore saudite po udhëtonte me emrin e tij dhe u vendos në paraburgim gjyqësor, tha radio RTL.

Kujtojmë se gazetari Jamal Khashoggi, i cili njihet si një kritik i shquar i qeverisë në Riad, u vra në konsullatën saudite në Stamboll në tetor 2018.

Arabia Saudite tha se ish-gazetari i “Washington Post” ishte vrarë në një “operacion mashtrues” nga një ekip agjentësh të dërguar për ta bindur atë të kthehej në mbretëri.

Por zyrtarët turq thanë se agjentët vepruan me urdhra nga nivelet më të larta të qeverisë saudite. Vrasja shkaktoi një bujë globale dhe dëmtoi imazhin e sundimtarit de fakto të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman. Por ai ka mohuar çdo rol në vrasjen e gazetarit.

Një gjykatë saudite dënoi tetë persona të paidentifikuar për vrasjen në vitin 2019. Pesë prej tyre u shpallën fajtorë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vrasje dhe iu dhanë dënime me vdekje, që më vonë u ndryshuan në 20 vjet burg, ndërsa tre të tjerë u burgosën nga shtatë deri në 10 vjet për fshehjen e krimit.