Vendosni fjalën kyçe....

Ramazan Rraja pas shpalljes në kërkim: Ngjarje e stisur, unë s’jam arratisur por jetoj prej muajsh në Dubai



Ramazan Rraja, nipi i deputetit Rrahman Rraja ka folur pas shpalljes në kërkim nga Policia e Lezhës, për ngjarjen e 13 nëntorit ku tre persona hynë në një lokal të maskuar dhe të armatosur.

Në një bisedë telefonike me redaksinë e “Balkaweb”, Rraja i mohoi akuzat ndaj tij, ndërsa këmbëngul se Policia nuk ka prova.

Ai tha se ndodhet në Dubai dhe jo në arrati.

“Është një ngjarje e stisur nga policia e prokuroria. Të më nxjerrin një fakt apo provë, dhe jam gati të paraqitem para drejtësisë, të marr dënimin maksimal. Aktualisht ndodhem në Dubai, jetoj këtu prej gushtit të këtij viti. Nuk jam arratisur nga Shqipëria, hyrje daljet e mia mund të verifikohen lirshëm.”- thotë ai.

Ndërkohë për mbrëmjen kur ka ndodhur ngjarja, Rraja thotë se ka prova se ndodhej në shtëpinë e tij dhe Policia e di këtë gjë, pasi telefoni i tij ka qenë në përgjim.

 “Natën e ngjarjes që flet policia, për të cilën më ka ngritur akuzë, kam qenë në shtëpinë time, kam video e foto për këtë, dhe prokuroria e policia e dinë shumë mirë, sepse më kanë thënë telefoni im është në përgjim. E kanë kollaj për ta zgjidhur këtë cështje.”- u shpreh Rraja.

Po kështu ai ka kërkuar që të mos përmendet emri i xhaxhait të tij në medie, lidhur me akuzat ndaj tij për të cilat vijon të këmbëngulë se janë të stisura: “ Sa i takon, xhaxhait tim deputet dua që mos të përmendet emri i tij, nuk kam asnjë lidhje me të, asnjë lloj kontakti. Ai është i zgjedhur i popullit, nuk dua të përfshihet në këtë ngjarje.

Është një ngjarje e stisur, nga njerëz që policia e di shumë mirë. Nuk e kam idenë kush janë njerëzit në lokal, nuk kam qenë kurrë në atë fshat të Lezhës. Kam çuar avokatin tim në polici, të më japin qoftë edhe një provë të vetme, dhe jam i gatshëm të vi, i hipi avionit menjëherë dhe vi paraqitem para drejtësisë.
Dikush ka akses shumë të fortë te policia e Lezhës, kundrejt rryshfetit terorrizojnë familjen time. Një e dy më nxjerrin emrin në media. Policia e prokuroria të bëjnë punën e tyre, të keni një provë e fakt, dhe jo gojëdhënat, nga goret e Kurbinit. Nuk kam konflikt me njeri, lëviz i qetë.”