Vendosni fjalën kyçe....

PS propozon Denar Bibën si kryetar të Autoritetit të Konkurrencës, opozita kundërshton


Maxhoranca dhe opozita janë përplasur sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të Autoritetit të Konkurrencës.

Në mbledhjen e sotme ku u diskutua kandidatura për Kreun e Autoritetit të Konkurrencës, Partia Socialiste ka propozuar emrin e ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Bibën.

“Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e Komisionit të Konkurrencës do shqyrtojë kandidaturën e zotit Denar Biba për në seancë parlamentare. Denar Biba është zgjedhur anëtar i komisionit me vendimin 29 viti 2021, dhe ka përmbushur kërkesat ligjore. Sot komisioni do të shqyrtojë dhe do propozojë kandidaturën e zotit Denar Biba.”- tha deputeti i PS-së Eduart Shalsi.

Por përfaqësuesit e opozitës e kanë kundërshtuar këtë propozim. Kreu i grupit të demokratëve, Alfred Rushaj përmendi si arsye akuzat ndaj Denar Bibës se ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg Ledio Bianku për të ndërhyrë në një çështje e pronave që po gjykohen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut.

“Nuk është korrekte që të marrim në shqyrtim një kandaturë që nuk është fare në këtë mbledhje. Duam që zotëria të vijë, dhe të na paraqisi platformën e vetë dhe për të treguar vizionin e tij për të drejtuar këtë institucion. Institucioni i konkurrencës është shumë e rëndësishme. Ne absolutisht nuk gjykojmë që zotëria do të ketë besimin e një pjese të mirë, jo vetëm të opozitës por edhe shoqërisë.

Mos të harrojmë që është, jo vetëm me afërsinë politike, por të mos harrojmë që është personi që ka mbajtur një pozicion të lartë shtetëror që është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strazburgut për ndërhyrje në një çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nuk do ishte e udhës për ta çuar. Në këto institucione, ka qenë praktikë që të ketë dhe opozita. Kur keni qenë ju në opozitë, keni pasur një post. Ka uzurpuar pozicionin e anëtarit që e ka mbajtur opozita. Po prishni një praktikë të kuvendit.”– tha Rushaj.