Vendosni fjalën kyçe....

Kancelari Sholz prezanton kabinetin e ministrave për qeverinë e re Gjermane


Kancelari i ri i Gjermanisë Olaf Scholz prezantoi kabinetin e ministrave të cilët do të formojnë qeverinë e re dhe do të betohen më 8 dhjetor.

Emrat e ministrave u konfirmuan në bazë të marrëveshjes së arritur mes tri partive të koalicionit qeverisës. Qeveria e re synon të modernizojë ekonominë më të madhe të Evropës, të shtojë përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike dhe të prezantojë politika sociale më liberale.

“Ne po shkojmë drejt një qeverie të re të fortë, me një kabinet shumë të fortë dhe të larmishëm”, u shpreh bashkë-udhëheqësja e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, e cila do të jetë e para grua që do të drejtojë ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Në mes të pandemisë me shumë interes pritej emri i ministrit të ri të Shëndetësisë. Në krye të kësaj detyre Scholz zgjodhi Karl Lauterbach, një epidemiolog dhe ligjvënës i njohur në media, të cilit i mungon përvoja ekzekutive, por ka qenë një nga zërat më të spikatur të Gjermanisë që kërkon kujdes dhe masa të rrepta kundër COVID-19.

Nancy Faeser, një avokate që drejton degën e partisë në shtetin qendror të Hesse, është një zgjedhje e papritur. Ajo do të jetë ministrja e parë grua që do të mbulojë Ministrinë e Brendshme. Faeser tha se fokusi kryesor do të jetë lufta kundër ekstremizmit të djathtë, të cilin e cilësoi  “kërcënimin më te madh” për vendin.

Ministrja e re e Mbrojtjes është ministrja në largim e Drejtësisë, Christine Lambrecht. Zëvendës-kancelari i Scholz do të jetë Robert Habeck, i cili drejton të Gjelbërit së bashku me Baerbock. Ai do të drejtojë një ministri të ekonomisë dhe klimës.

Cem Ozdemir, i cili do të jetë ministër i bujqësisë, është ministri i parë federal me origjinë turke.

Lideri i Demokratëve të Lirë, Christian Lindner, zgjidhet ministër i financave.

Scholz kishte premtuar një kabinet të balancuar gjinor duke theksuar se zgjedhjet e partisë së tij pasqyronin faktin se gratë duhet të “kishin gjysmën e pushtetit”.

Drafti i marrëveshjes së koalicionit që do t të qeverisë Gjermaninë në katër vitet e ardhshme përmban disa risi sa i përket Ballkanit Perëndimor duke premtuar më shumë mbështetje për anëtarësimin e 6 shteteve të rajonit.