Vendosni fjalën kyçe....

Berlini i mban të hapura klubet e natës, por ndalon kërcimin


Kërcimi nuk do të lejohet më në klubet e natës së kryeqytetit gjerman duke filluar nga e mërkura e ardhshme, pasi autoritetet e Berlinit kanë shtrënguar masat për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19.

Vendimi u mor gjatë një seance të posaçme të Senatit të Berlinit të premten. Klubet dhe diskotekat, do të mbeten të hapura gjithsesi, edhe pse kryesisht për shkak të teknikave ligjore. Autoritetet rajonale dhe federale gjermane, megjithatë, ranë dakord të enjten që në të ardhmen e afërt klubet do të duhet të ndërpresin funksionimin pasi shkalla e infeksionit shtatë-ditor të kalojë 350 për 100 mijë banorë në një rajon të caktuar. Berlini aktualisht është afërsisht 360.

Restorantet dhe baret gjithashtu janë lejuar të mbajnë dyert e tyre të hapura për momentin, megjithëse janë vendosur udhëzime të reja për distancimin shoqëror, duke kërkuar më pak tavolina, ndër masat e tjera. Eshtë e panevojshme të thuhet se të gjitha ato hapësira publike janë të hapura vetëm për ata që ose janë vaksinuar ose janë shëruar së fundmi nga Covid, sipas rregullave të prezantuara në mes të nëntorit.

Rregulloret e reja që hyjnë në fuqi javën e ardhshme gjithashtu do të kufizojnë më tej numrin e njerëzve që marrin pjesë në evente në shkallë të gjerë, ku nuk do të lejohen më shumë se 5 mijë njerëz në ambientet e jashtme. Kjo vlen edhe për ndeshjet e futbollit profesionist.

Për takimet private, në rastet kur merr pjesë të paktën një person i pavaksinuar, kufiri do të jetë një familje plus dy individë të tjerë. Duke komentuar masat, kryebashkiaku në detyrë i Berlinit, Michael Müller, tha se “të vaksinuarit dhe të rikuperuarit kanë qartësisht më shumë liri”. Megjithatë, edhe nëse të gjithë pjesëmarrësit i përkasin njërës prej këtyre dy kategorive, ata përsëri nuk lejohen të mblidhen në grupe që tejkalojnë 1000 persona në ambiente të hapura dhe 500 në ambiente të mbyllura.

Në transportin publik të Berlinit, përveç pasaportës së vaksinimit berlinezët do të duhet të mbajnë një maskë jo vetëm kur janë në tren, por edhe ndërsa presin në një platformë.