Policia e Shkodrës ka goditur një rast të kultivimit të narkotikëve ku ka sekuestruar 139 kg kanabis si dhe 132 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuara në vazo në një ambient të mbyllur të përshtatur për kultivim.
Lënda narkotike u sekutestrua në fshatin Jeran të Shkodrës dhe nga operacioni u arrestua një grua 42 vjeç dhe u shpall në kërkim bashkëshorti i saj Gj.V 55 vjeç.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas kishte përshtatur në bodrumin e banesës së tij, një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Jeran”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasja:
M.V., 42 vjeçe banuese në fshatin Jeran, si dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj, shtetasi Gj. V., 55 vjeç, banues në fshatin Jeran, Shkodër.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 139 kg lëndë bimore e dyshuar cannabis sativa, 132 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike, baza të tjera materiale që shërbenin për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike dhe 1 automjet. Gjithashtu, gjatë operacionit, në këtë banesë është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”-njofton policia.