Vendosni fjalën kyçe....

Debatet në Kryesi me Strazimirin, Bardhi: Kam kërkuar pezullim për të marrë një kohë reflektimi, por kolegët ndërhynë


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të deputetit demokrat Gent Strazimiri kundër tij, lidhur me mbledhjen e Kryesisë.

Strazimiri shprehej se Bardhi kishte propozuar që kryesia të mos merrte vendim lidhur me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar sa i përket tematikave që duhet të diskutohen. Ndërsa Bardhi sqaron se ai kishte bërë këtë propozim për pezullimin e procesit të vendimmarrjes në mënyrë që të kishin më shumë kohë për të gjykuar më qartë.

Bardhi shprehet se në momentin që ky i fundit kishte bërë këtë sugjerim, anëtarët e kryesisë kishin ndërhyrë duke përsëritur deklaratat e Berishës për mbajtjen e Kuvendit më 11 Dhjetor. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, është shprehur edhe njëherë se qëndrimi i tij është i qartë dhe se nuk synon përçarjen, por bashkimin.

“Qëndrimi im në mbledhjen e Kryesisë ka qenë i qartë duke synuar bashkimin dhe jo përçarjen.
Për shkak të respektit që kam për kolegun Gent Strazimiri, po konfirmoj se është e vërtetë që në mbledhjen e Kryesisë kërkova që të merrnim të gjithë sëbashku një periudhë reflektimi për të gjetur rrugën që na bashkon dhe jo atë që na ndan. Për këtë propozova pezullimin e vendimmarrjes në mbledhje për të marrë pak më shumë kohë. Për të bashkuar dhe jo për të përçarë u propozova disa prej kolegëve që të kërkonin shtesë të çështjeve që ata mendojnë se duheshin përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, për të përcjellë në rrugë institucionale zërin e pakicës që mendonte ndryshe nga Kryetari.

Ndërsa bëja këtë propozim, kolegën ndërhynë dhe refuzuan propozimin tim, duke ripërsëritur në mbledhje qëndrimin e shpallur paraprakisht nga z. Berisha në konferencë për shtyp se “Kryesia nuk merr dot vendim, Kuvendi do të zhvillohet në datën 11 Dhjetor dhe rendi i ditës është caktuar”. Në këtë moment kam theksuar se kështu provohet që qëllimi nuk është mbajtja e Kuvendit Kombëtar, dialogu mes demokratëve dhe ndërtimi i platformës së përbashkët për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Me këtë qëndrim kolegët konfirmuan se qëllimi është mbajtja peng e Partisë Demokratike për hallin personal të z. Berisha.

Askush nuk ka të drejtë të marrë peng Partinë Demokratike për hallet e tij personale. Problemet personale duhet të mbahen në shtëpi dhe jo të jenë axhendë pengmarrje për Partinë Demokratike. Partia Demokratike është e demokratëve që do të kuvendojnë në Kuvendin Kombëtar të PD më datë 18 Dhjetor 2021. Ky është Kuvendi i bashkimit të demokratëve dhe përgjigja e duhur institucionale ndaj cilitdo që prej më shumë se dy muajve i fryn vetëm zjarrit të përçarjes.”– shkruan Bardhi.