Vendosni fjalën kyçe....

“World Vision” ju fton në “Labirintin” sensibilizues kundër dhunës ndaj fëmijëve në Shkodër, edhe tre ditë është hapur


Ditën e djeshme është hapur për t’u vizituar nga të gjithë një labirint sensibilizues kundër dhunës ndaj fëmijëve.

Bëhet fjalë për një iniciativë “World Vision Albania”, në partneritet me Bashkinë Shkodër, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Synimi i aktivitetit “Në Labirint” është ndërgjegjësimi i qytetarëve në një mënyrë ndërvepruese për ndikimin e dhunës fizike dhe psikologjike tek fëmijët apo adoleshentët.

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, mbajti fjalën hyrëse në aktivitetin e hapjes së “Labirintit”, ku u shpreh se përgjatë muajit do të kishte edhe aktivitete të tjera sensibilizuese.

“Unë kam kënaqësinë të mbaj fjalën e hapjes duke i mëshuar shumë rëndësisë që ka pikërisht sensibilizimi për çështjen e të drejtave të fëmijëve dhe kur flas për të drejta, e kam fjalën jo vetëm në kuadër të këtij aktiviteti, por për një sërë aktivitetesh që organizohen në Bashkinë e Shkodrës, nga vetë bashkia ose në partneritet me organizatat, kështu që dua të kujtoj se përveç Labirintit në datën 20 nëntor, ne do të kremtojmë dhe do të punojmë për të promovuar edhe të drejtat e fëmijëve në Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, sikurse më pas me 25 Nëntor sikurse çdo vit ne do të nisim aktivitetet në 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Fëmijët janë ndër grupet më vulnerabël që ka shoqëria, janë të njohura si të tilla në strategjinë për mbrojtjen sociale por edhe në strategjinë vendore të Bashkisë së Shkodrës dhe sigurisht në kuadër të kësaj nevoje dhe vulnerabiliteti që paraqesin fëmijët, ata kanë të drejtë për t’u mbrojtur.”- u shpreh kryebashkiakja Ademi.

Edhe pse kanë një detyrë morale, ligjore dhe institucionale për të mbrojtur fëmijët dhe për të siguruar mirëqenien e tyre, në jo pak raste ndodh që dhuna mund të ushtrohet nga prindërit, edukatorët, ofruesit e shërbimeve, bashkëmoshatarët, etj.

Labirinti do mirëpresë vizitorët deri me datë 13 nëntor 2021.