Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Duhet të jesh i verbër të mos shohësh ndryshimin e situatës së mbeturinave në Tiranë


Kryebashkiaku i Tiranës ka deklaruar sot në Komisionin e Ekonomisë se institucioni që drejton do japë 1 milion euro për rimëkëmbjen e transportit publik të kryeqytetit.

Po kështu ai theksoi se problem mbeten borxhet e prapambetura të ish-komunave, borxhe që u kanë kaluar bashkive pas ndarjes së re territoriale.

“Kemi kërkuar që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, afatgjatë për transportin publik. E kuptoj se është e vështirë heqja e TVSH-së, por ka mënyra të tjera. Subvencionimi mund të jetë një mënyrë. Vetë Bashkia e Tiranës ka vënë 1 milion euro në dispozicion për transportin. I kemi kërkuar qeverisë që, ose në Akt Normativ, ose në buxhet, të vendoset një subvencion për transportin publik, sidomos për qytetin e Tiranës, që transporton një pjesë të madhe të komuniteteve, që s’janë as rezidentë. Edhe Ministria e Arsimit duhet të japë subvencionin e vet për studentët, është pjesë e Paktit për Universitetit. E njëjta gjë vlen edhe për Personat me Aftësi të Kufizuara. Një nga shqetësimet që ne kemi janë borxhet e prapambetura të bashkive të trashëguara nga ish-komunat. Duhet një zgjidhje sidomos për bashkitë e vogla. Bashkia e Tiranës i ka likujtuar të sajat.” – tha Veliaj.

Ai shtoi më tej se për sa i përket situatës së mbeturinave, ajo në Tiranë ka ndryshuar si dita me natën ndërsa kërkoi më shumë ndihmë për qytetet bregdetare.

“Kush jeton në Tiranë duhet të jetë i verbër të mos dallojë ku ishim, por përsëri nuk mjafton. Bashkitë bregdetare kanë nevojë për një bonus ekstra gjatë stinës së verës. Sado të përpiqen, në momentin që të 7-8 fishohet popullsia brenda natës jo çdokush arrin të përballojë një fluks të tillë. Do donim që dhe këtu, jo në mënyrë uniforme, por sipas frekuencës, të kenë një bonus të veçantë.” – shtoi Veliaj.