Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall Krizë Energjetike për 30 ditë


Maqedonia e Veriut ka shpallur këtë të martën krizë energjetike, e cila do të zgjasë 30 ditë.

Sikurse raportojnë mediet maqedonase, vendimi u mpr në mbledhjen e sotme, me kërkesë të Komisionit për ndjekjen e gjendjeve me furnizimin e energjisë elektrike të formuar nga Ministria e Ekonomisë.

Siç informoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën për mediet, vendimi është marrë në bazë të vlerësimit të Komisionit se ekziston rrezik për shkaktim të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe situatës në tregun e energjisë elektrike në bazë të raportit të përgatitur nga MEPSO për vlerësimin e stabilitetit të sistemit elektroenergjetik në Maqedoninë e Veriut për tremujorin e fundit të këtij viti.

Bekteshi tha se shpallja e gjendjes së krizës është për të injektuar mjete te kompanitë energjetike dhe për të rritur likuiditetin e tyre.

 “Qeveria aktualisht është e fokusuar në përballjen me sukses të sfidave të paraqitura nga kriza globale energjetike. Gjendja e krizës energjetike sillet për të përmirësuar funksionimin e kompanive energjetike, për të rritur likuiditetin e tyre dhe për të mos miratuar asnjëherë masa kufizuese që do të ndikonin negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve.”- tha ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut.

Vendimi i Qeverisë nuk parashikon masa kufizuese për qytetarët, por nga janari çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet për rreth 8-9 për qind.

Qeveria njoftoi se rreth 4 miliardë denarë (rreth 65 milionë euro) do të transferohen nga buxheti te kompanitë energjetike, për të kapërcyer, siç tha, të gjitha rreziqet në sektorin e energjisë dhe për furnizim të rregullt me energji elektrike.