Vendosni fjalën kyçe....

Zhdukja e biznesmenit, reagon Policia: Po hetojmë për rrëmbim ose pengmarrje, kemi kryer kontrolle


Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me zhdukjen e shtetasit Ruzhdi Hoxha banues në Paskuqan i cili u denoncua i humbur nga familjarë të tij.

Policia thotë se ka referuar veprimet procedurale në prokurori për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Gjithashtu thekson se ka kryer kontrolle dhe kërkime në vende të ndryshme.

Më datë 24.10.2021, shtetasi S. H. ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.5, se më datë 20.10.2021, rreth orës 23:00, është larguar nga banesa babai i tij, shtetasi Ruzhdi Hoxha, 43 vjeç, banues në Paskuqan, dhe prej asaj kohe nuk kanë pasur më kontakt me të. (Njoftimi i publikuar në web-in e Policisë së Shtetit, në përmbledhjen 72-orëshe, më datë 25.10.2021

Menjëherë pas denoncimit të marrë, Sektori i Hetimit të Krimeve të Renda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr.5, kanë vlerësuar maksimalisht denoncimin duke verifikuar çdo informacion dhe kanë kryer kërkime e kontrolle në ambiente e vende të ndryshme.

Veprimet procedurale shtesë i janë dërguar Prokurorisë dhe mbi bazën e tyre është regjistruar procedimi penal Nr.7713, datë 27.10.2021, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Nga strukturat e DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon puna e pandërprerë për gjetjen e shtetasit Ruzhdi Hoxha, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve”-njofton policia.