Vendosni fjalën kyçe....

11 shtete padisin administratën Biden kundër vaksinimit të detyrueshëm: Urdhri është jokushtetues, i paligjshëm dhe i pamatur


Prokurorët e përgjithshëm në 11 shtete të SHBA-së ngritën padi të premten kundër administratës së presidentit Joe Biden, duke sfiduar një kërkesë të re të vaksinimit të detyrueshëm për punëtorët në kompanitë e mëdha.

Padia, e paraqitur në Gjykatën e Apelit ë Qarkut të SHBA-së me bazë në St. Louis, argumenton se autoriteti për të detyruar vaksinimet i takon shteteve, jo qeverisë federale.

“Ky urdhër është jokushtetues, i paligjshëm dhe i pamatur”, thuhet në padinë e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Misurit Eric Schmitt, një nga disa republikanë që konkurrojnë për vendin e hapur në Senatin e SHBA-së vitin e ardhshëm, shkruan CBS News.

Sipas rregulloreve të reja nga Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, kompanitë me më shumë se 100 punonjës duhet të kërkojnë që punëtorët e tyre të vaksinohen kundër COVID-19 ose të testohen për virusin çdo javë dhe të mbajnë maska ​​në punë. Kërkesa është që kjo gjë të fillojë në 4 janar 2022. Mosrespektimi mund të rezultojë në gjoba prej afro 14,000 dollarë për shkelje.

Schmitt tha padia bëhet ‘për të mbrojtur liritë personale, për të ruajtur bizneset e Misurit dhe për të shtyrë tiranët burokratikë që thjesht duan pushtet dhe kontroll’.

Administrata Biden ka nxitur vaksinimet e përhapura si mënyra më e shpejtë për të dalë nga pandemia. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha të enjten se urdhri kishte për qëllim të ndalonte përhapjen e sëmndjes që ka marrë më shumë se 750,000 jetë në SHBA deri tani.

Misurit iu bashkuan në padi edhe prokurorët e përgjithshëm republikanë të Alaskës, Arizonës, Arkansas, Montana, Nebraskas, New Hampshire, North Dakotas, South Dakotas dhe Wyoming. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Iowa-s, Tom Miller, një demokrat, gjithashtu iu bashkua padisë, së bashku me disa punëdhënës privatë, jofitimprurës dhe fetarë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani