Vendosni fjalën kyçe....

Persona të armatosur prishin dasmën në Afganistan për të ndaluar muzikën, vriten 2 dasmorë dhe plagosen 10 të tjerë


Disa persona të armatosur që u prezantuan si talebanë kanë sulmuar një dasmë në Afganistanin lindor për të ndaluar muzikën, duke vrarë të paktën dy persona dhe duke plagosur 10 të tjerë.

Një zëdhënës i talebanëve tha se dy nga tre personat e armatosur ishin arrestuar, por mohoi se ata kishin vepruar në emër të lëvizjes islamike.

Kujtojmë se muzika ishte e ndaluar kur talebanët sunduan vendin nga viti 1996 deri në vitin 2001. Por autoritetet e reja nuk kanë nxjerrë ende një dekret të tillë.

Një dëshmitar okular i tha BBC-së se katër çifte po martoheshin në një martesë të përbashkët në rrethin Surkh Rod në provincën e Nangarhar të premten.

Ata kishin marrë leje nga një udhëheqës lokal taleban për të luajtur muzikë në një zonë të përdorur vetëm nga gratë.

Por natën vonë, personat e armatosur hynë me forcë brenda dhe u përpoqën të thyejnë altoparlantët. Kur të ftuarit protestuan, personat e armatosur hapën zjarr. Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha se rasti ishte nën hetim.

Grupi i Shtetit Islamik, i cili është kundër talebanëve, është gjithashtu aktiv në Nangarhar dhe është fajësuar për incidente të ngjashme në të kaluarën.

Afganistani ra në duart e Talebanëve në gusht pasi SHBA-ja tërhoqi trupat e fundit të saj të mbetur dhe militantët ripushtuan vendin.