Vendosni fjalën kyçe....

“Nëse e shoh e dalloj” – Një nga grabitësit e Nazmi Çangut pa maskë, dëshmia e vajzës së biznesmenit


Një nga personat që grabitën me dhunë banesën e biznesmenit Nazmi Çangu në fshatin Nikël të Krujës ka qenë i pamaskuar ç’ka mund të ndihmojë policnië në kapjen e grupit.

Siç dëshmon vajza e Çangut, Xhelona, grabitësit kanë folur më njëri-tjetrin me kufje dhe nga dialekti i janë dukur si nga zona e Kurbinit.

Ajo ka rrëfyer se njëri prej tyre ka qenë pa maskë dhe nëse e njeh mund ta dallojë. Ndërkohë policia e prokuroria u kanë kërkuar kompanive telefonike që të zbardhin thirrjet përreth banesës së familjes Çangu ditën e ngjarjes.

“Rreth orës 02:00 dëgjova babin të bërtiste dhe rënkonte, por mendova se ishte sëmurë. Hapa derën dhe aty pashë një person të gjatë, të armatosur, që më tha ‘pusho’. Ai u fut në dhomë ku ndodhesha me shoqen time e vëllain e mitur. Na mori telefonat dhe i mbante në dorë. Ai thirri një tjetër person që ndodhej në katin e dytë. Ai që erdhi ishte i pamaskuar, i veshur me rroba të zeza, trup i shkurtër, i mbushur në fytyrë e me pak bark, me flokë ngjyrë kafe, afërsisht rreth 40 vjeç. Në këtë moment, personi tjetër i maskuar i tha ‘Vendose kapuçin more budalla’. Njëri prej tyre kishte kufje në vesh dhe komunikonte me personat e tjerë. Nga komunikimi dukej sikur ishte nga zona e Laçit. Njëri prej tyre mori vëllain dhe e çoi në dhomën tjetër dhe e pyeste për çelësin e kasafortës. Dukej që ata e njihnin mirë familjen time. Ata na thanë ‘Do marrim borxhin që na ka babai juaj Nazmiu’. Nëse e shoh personin që ishte pa maskë e njoh, madje mund ta kem parë edhe herë tjetër, por nuk mbaj mend se ku.” – ka thënë Xhelona Çangu shkruna Shqiptarja.