Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta: Vrasja në Fier dhe grabitja e biznesmenit në Nikël, kërcënim serioz për rendin e sigurinë e jetës


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në vend, për ekzekutimin e Demir Backës mbrëmjen e së shtunës dhe grabitjen e biznesmenit Nazmi Çangu në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Në një postim, Meta i ka konsideruar këto “ngjarje të rënda që përbëjnë një kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë e jetës e pronës në vend”.

Presidenti Meta u bën thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ të Shtetit që të bashkëpunojnë për të vënë përpara përgjegjësisë sa më shpejt autorët si dhe të parandalohen ngjarje të tilla.

“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.

Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale.”- shkruan Meta.

Të shtunën në mbrëmje, u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Demir Bucka pranë një qendre tregtare në Fier. Momentalisht hetuesit po ndjekin pistën e hakmarrjes dhe konfliktet që mund të kenë sjellë prishje të ekuilibrave me personat me influencë në Fier.

Po ashtu gjatë orëve të para të mëngjesit në Fushë Krujë, 10 persona të armatosur dhe me maska kanë dhunuar biznesmenin Nazmi Çungu dhe i kanë vjedhur atij para cash dhe sende të çmuara.