Vendosni fjalën kyçe....

Putin nuk do të marrë pjesë në Samitin e liderëve botërorë për Klimën


Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin historik të Klimës të OKB–së që do të mbahet në muajin e ardhshëm, ndryshe nga sa ishte njoftuar më parë.

Lajmi u konfirmua nga Kremlini të mërkurën.

“Fatkeqësisht, Putini nuk do të fluturojë në Glasgow.”- u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, citon Moscow Times. Peskov shton se pavarësisht mungesës së presidentit Putin në këtë Samit, ndryshimi i klimës ishte “një nga përparësitë më të rëndësishme të politikës sonë të jashtme”.

Udhëheqësit botërorë do të mblidhen në qytetin skocez muajin e ardhshëm për një samit historik të cilësuar si “shansi i fundit më i mirë” i njerëzimit për të vënë nën kontroll ndryshimet shkatërruese të klimës. Rusia aktualisht është emetuesi i katërt më i lartë i karbonit në botë dhe kritikët thonë se vendi nuk po bën shumë për të trajtuar krizën mjedisore.

Peskov tha se pala ruse do të përfaqësohej në samit, por detajet do të publikohen në një datë të mëvonshme.