Vendosni fjalën kyçe....

Olta Xhaçka: Mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë mbahet në fund të nëntorit


Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, deklaroi se mbledhja e radhës e përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, do të zhvillohet në fund të muajit nëntor.

Gjatë fjalës së saj, Xhaçka u shpreh se në mbledhjen e dy qeverive do të rishikohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë mbledhjeve të kaluara të përbashkëta. Bëhet fjalë për 86 marrëveshje të tilla.

“Në javën e fundit të nëntorit do të jetë mbledhja e 7-të Shqipëri-Kosovë. Takimi do të zhvillohet në qytetin e Durrësit. Prej ditësh po punohet për realizimin dhe konkretizimin e marrëveshjeve. Në mbledhjen e sotme kemi skanuar të gjitha marrëveshjet, plot 86, të firmosura në të gjitha mbledhjet qeveritare. Bëhet fjalë për marrëveshje të lidhura e zbatuara, marrëveshje të lidhura, por që nuk janë zbatuar, si dhe marrëveshje që do të lidhen në mbledhjen e nëntorit. Në mbledhjen e dy qeverive do të preken marrëveshje, që do të firmosen, në fusha si ekonomia, bashkëpunimi diplomatik e konsullor, arsimi, shkenca, kultura. Dy ministritë e Jashtme kanë krijuar një grup pune të përbashkët për rishikimin dhe zbatimin e marrëveshjeve në fuqi.”- deklaroi Xhaçka.