Vendosni fjalën kyçe....

Abuzimet me kontratat e qirasë, arrestohet ish-punonjësi i Postës së Korçës


Policia e Korçës ka arrestuar sot një 39-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Kontrata”, ku disa muaj më parë u vu në pranga edhe ish-drejtori i degës së Postës në Korçë, Valter Gora.

I arrestuari sot është Sokol Mullaj, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh, nga e cila ishte i implikuar dhe ish-drejtori Gora dhe një punonjës i Postës së Korçës.

Tre muaj më pare u arrestuan ish-drejtori i degës së Postës në Korçë, Valter Gora dhe ish-specialisti i sigurisë pranë Postës së Korçës, Albano Bibo. Sipas hetimeve disamujore, dy personat gjatë kohës që kanë qenë në detyrë kanë falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq dhe Pogradec.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni i koduar “Kontrata”, i finalizuar 3 muaj më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale ne fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Vihet në pranga 39-vjeçari, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 06.07.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në lidhje me ngjarjen e datës 14.07.2021, ku u finalizua operacioni “Kontrata”, si rezultat i të cilit u ndalua ish-drejtori dhe një punonjës i Postës Korçë dhe u morën masa shtrënguese ndaj disa punonjësve të tjerë.

Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.