Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina konfirmon një rast të poliomielitit te fëmija 18-muajsh, prindërit s’i kishin bërë vaksinën


Ukraina ka konfirmuar një rast të poliomielitit. Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi tha se bëhet fjalë për një foshnje 18-muajshe, e cila është shtruar në spital me simptoma të paralizës.

Rasti është zbuluar në rajonin e Rivne-s. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, prindërit e fëmijës kishin refuzuar qëllimisht vaksinimin për arsye fetare.

“Sëmundja shkaktohet nga një derivat i llojit të vaksinës të poliovirusit të tipit 2 (Sabin 2). Simptomat e para u shfaqën më 1 shtator, dhe më 3 shtator fëmija u shtrua në spital me simptoma të parelizës së ekstremiteteve të poshtme.”– thuhet në njoftim.

Një ekip mjekësh dhe virologësh tashmë po punojnë në rajon, për të gjetur të gjithë personat e kontaktit.

Poliomieliti është një sëmundje infektive akute. Poliovirusi përhapet nga personi në person përmes jashtëqitjes dhe pështymës, më së shpeshti përmes duarve të pista, ushqimit dhe ujit të kontaminuar.

“Çdo fëmijë dhe i rritur i pavaksinuar mund të marrë poliomielit. Por fëmijët nën moshën pesë vjeç janë më të ndjeshëm ndaj virusit të poliomielitit. Prandaj, fëmijët marrin vaksinimin e parë në muajt e parë të jetës.”– tha Ministria e Shëndetësisë në Ukrainë.

Poliomieliti ishte çrrënjosur nga Evropa qysh në vitin 2002. Më pas në vitin 2015, Ukraina konfirmoi raste të tjera të poliomielitit tek dy fëmijë.