Vendosni fjalën kyçe....

Lista “Non Grata” – DASH çon në Kongres listën me Berishën e familjarët e tij


Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar listën e personave të shpallur “non grata” gjatë vitit 2021, të cilën ia ka raportuar atë Kongresit Amerikan.

Këtë e ka bërë me dije ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim.

 “Departamenti i Shtetit i raporton Kongresit në lidhje me personat e caktuar për korrupsion të rëndësishëm.”- shkruan Kim në një postim në llogarinë e saj zyrtare në “Twitter”.

Në këtë listë ndodhet edhe emri i ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha si dhe i familjarëve të tij: bashkëshortes Liri Berisha dhe dy fëmijëve Shkëlzen dhe Argita Berisha.

Krahas tyre, renditen edhe emra të personave të tjerë të shpallur “non grata” nga vende të ndryshme të botës, të cilët akuzohen për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha dhe familjarët e tij u shpallën “non grata” më 19 maj të vitit 2021, lajm që e bëri me dije asokohe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili e akuzonte ish-kryeministrin shqiptar se ka minuar demokracinë në Shqipëri me akte korruptive.

Berisha iu kundërpërgjigj duke ngritur një padi ndaj Blinken në një gjykatë në Francë, pasi e konsideronte këtë një vendim të marrë pa fakte.