Vendosni fjalën kyçe....

Tërmeti godet Pakistanin në 3 të mëngjesit, 20 viktima e qindra të plagosur


Të paktën 20 persona u vranë dhe rreth 300 u plagosën të enjten kur një tërmet me magnitudë 5.7 goditi Pakistanin jugor në orët e para të mëngjesit, pasi shumë prej viktimave ishin në gjumë, tha Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive. Punëtorët e shpëtimit thanë se shumica e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë.

Tërmeti goditi në thellësinë relativisht të cekët prej 20 kilometrash me një epiqendër 102 kilometra në lindje të qytetit të Quetta, tha Shërbimi Gjeologjik Amerikan (USGS).

Më shumë se 100 shtëpi me baltë u shembën dhe shumë ndërtesa u dëmtuan. Pamjet televizive treguan ndërtesa me çarje të thella në çati dhe mure të thërrmuara.

Qindra njerëz ishin të pastrehë, tha Sohail Anwar, nënkomisar i policisë në qytetin e Harnai, për Reuters.

Një helikopter i ushtrisë dërgoi të paktën nëntë nga të plagosurit rëndë në Quetta, njoftoi Associated Press Pakistan. Vendi ndodhet në majë të pllakave tektonike që përplasen dhe tërmetet janë të zakonshme.

Një tërmet me magnitudë 7.7 goditi Quetta në vitin 1935, duke vrarë midis 30,000 dhe 60,000 njerëz dhe duke shkatërruar pjesën më të madhe të qytetit.

Në vitin 2006, rreth 73,000 njerëz u vranë nga një tërmet me magnitudë 7.6 që goditi rreth 95 kilometra në verilindje të kryeqytetit, Islamabad.