Vendosni fjalën kyçe....

Kina kërkon energji emergjente nga Rusia pasi mungesa e qymyrit lë pa energji qytetet e fabrikat


Pekini thuhet se i ka kërkuar një prej kompanive më të mëdha të energjisë të Rusisë që të rrisë eksportet e saj të energjisë elektrike në Kinë, pas disa ditësh ndërprerje të energjisë që kanë shkaktuar kaos në vendin më të populluar në botë.

Të mërkurën, konglomerati energjetik Inter RAO zbuloi se kishte marrë një kërkesë nga autoritetet kineze për të ndihmuar në lehtësimin e rrjetit të tij kombëtar. Ndërsa ende nuk janë dhënë hollësi për marrëveshjen e mundshme, kuptohet se firma, e cila ka një monopol në eksportet e energjisë elektrike, po shikon të rrisë eksportin në mënyrë të konsiderueshme.

Lajmi vjen pasi më shumë se 20 provinca kineze u raportuan se ishin goditur nga ndërprerja e energjisë dhe problemet e furnizimit, teksa ytregtarët e kryenin biznes nën dritën e qirinjve dhe rrjetet e telefonave celularë thuhet se u goditën nga ndërprerje të mëdha. Një numër fabrikash që nxisin ekonominë e dytë më të madhe në botë kanë fikur pajisjet ose u është thënë të punojnë me orë të shkurtuara për të shmangur presionin në rrjetin e energjisë.

Kina, e cila mbështetet te qymyri për të prodhuar më shumë se gjysmën e energjisë së saj, ka parë që rezervat të bien në nivelet më të ulëta, me South China Morning Post që raporton se furnizimet janë të mjaftueshme vetëm për të mbajtur dritat ndezur për pak më shumë se dy javë.

Në të njëjtën kohë, një rritje e kërkesës për mallra kineze dhe vonesa në përmirësimin e efikasitetit të energjisë janë kombinuar për të krijuar një nga çështjet më serioze logjistike me të cilën Pekini është marrë vitet e fundit.