Vendosni fjalën kyçe....

Basha tregon 3 kushtet e panegociueshme të opozitës për reformën zgjedhore


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas takimit me aleatët ka deklaruar se Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili janë mandatuar nga opozita e Bashkuar për të përfaqësuar opozitën

“Prej muajit tetor opozita e bashkuar ka instituar për një mekanizëm gjithpërfshirës për të përfunduar Reformën Zgjedhore që i paraprin zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur, si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër. Sot opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesëdhe përfundimin një orë e më parë të Reformës Zgjedhore dhe mandaton Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të dakordësuar mekanizmin për miratimin e Reformës Zgjedhore, duke i qëndruar plotësisht të gjitha pikave të parashtruara në shtator.

E para krijimin e një mekanizmi gjithëpërfshirës dhe transparent, me pjesëmarrjen e forcave politike dhe mundësinë dhe aksesin e çdo faktori tjetër shoqëror e qytetar dhe të grupeve të interesit.

Së dyti miratimin me konsensus jashtë parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore, të çdo propozimi për Reformën Zgjedhore.

Së treti kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus pa asnjë ndryshim me seancën plenare dhe me këtë mandat të pandryshueshëm, kemi mandatuar dy zotërinjtë që përmenda në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të mos humbasin më asnjë minutë, për të përfunduar një orë e më parë Reformën Zgjedhore, që t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme si rruga e vetme për daljen nga kriza politike.”- tha Basha.

Kryedemokrati i bëri thirrje maxhorancës që të mos vonojë Reformën Zgjedhore. Ai falenderoi dhe faktorin ndërkombëtar për mbështetjen, në veçanti përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo deklaratë vjen pas takimit në selinë blu me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, dhe aleatët e tjerë: Shpëtim Idrizi, Dashamir Shehi dhe Agron Duka.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *