Vendosni fjalën kyçe....

30-vjetori i çeljes së ambasadës amerikane në Tiranë


Nga Kastriot Dervishi

Misioni diplomatik amerikan i kryesuar nga Hendersoni së bashku me 9 diplomatë të tjerë ishte larguar mes peripecish nga Durrësi më 14.11.1946. Jo vetëm i trajtuar keq, por gjatë kësaj ikjeje i etiketuar me shpifje, përbuzje e fyerje që nuk i meritonte i kurrë.

Pasi Shqipëria pranoi pluralizmin politik dhe zgjedhjet parlamentare ishin në prag, më 15.3.1991 u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të dokumentit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Muhamet Kapllani dhe ndihmëssekretari i shtetit Raymond G.H. Seitz (sekretari i shtetit ndodhej në një turne jashtë vendit).

Grupi i parë diplomatik amerikan që erdhi në Tiranë për të hapur ambasadën (e cila këtë kohë shërbente si seli e shtetit italian), ishte delegacioni i kryesuar nga David Swartz (i cili qëndroi rreth një muaj), që mbërriti disa ditë përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991, në përbërje të të cilin ishin edhe diplomatët Richard Muller e Susan Sutton dhe Frank Shkreli nga “Zëri i Amerikës”. Më 24.4.1991 mbërritën në Shqipëri William Ryerson dhe Chris Hill. Ryerson qëndroi në Tiranë deri në korrik 1991. Misionin amerikan deri në emërimin e ambasadorit e drejtoi Chris Hill. Presidenti Bush e dekretoi ambasador Ryersonin më 28.10.1991. Ai filloi punë zyrtarisht më 2.12.1991, por më 21.12.1991 i paraqiti letërkredencialet presidentit të Shqipërisë. Chris Hill organizoi edhe ceremoninë e hapjes zyrtare së ambasadës amerikanë në Tiranë më 1.10.1991. Gruaja e Loni Adamit (vdekur në hetuesi i keqtrajtuar nga komunistët më 30.6.1947), zonja Andromaqi, i tregoi të ngarkuarit me punë vendin ku ishte vendosur flamuri amerikan, i ulur në 14 nëntorin e vitit 1946 (fotot janë ruajtur nga familja Adam). Hill shihte i përmalluar ngritjen e flamurit nga zonja Adam.

Një epokë e re nisi në marrëdhëniet midis dy vendeve, pas një dimri të egër komunist. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i madh i kombit dhe shtetit shqiptar. Mbeten arritje të mëdha të shekullit të kaluar mbrojtja e vendit nga copëtimi në vitin 1920 prej presidentit Wilson dhe lufta e Kosovës në vitin 1999. Urojmë që interesi amerikan ndaj Shqipërisë të mos zbehet kurrë.