Vendosni fjalën kyçe....

SPD fton të Gjelbrit dhe FDP-në për bisedime rreth koalicionit qeveritar


Social Demokratët gjermanë ftuan të Gjelbrit dhe Partinë e Lirë Demokrate (FDP) për bisedime  mbi një qeveri koalicioni trepalësh, tha të martën një zyrtar i lartë i partisë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Social Demokratike (SPD) Rolf Mutzenich u tha gazetarëve në Berlin se bisedimet mund të fillojnë brenda javës.

“Ne kemi ftuar të Gjelbrit dhe FDP të bëjnë bisedime me ne, nëse dëshirojnë gjatë kësaj jave,”  tha ai, duke shtuar se SPD do të donte të zhvillonte diskutime të besueshme dhe të shpejta me të dyja palët.

E përjavshmja Der Spiegel raportoi se të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë së pari do të flasin të mërkurën, pasi të dy partitë kanë qëndrime të ndryshme për shumë çështje dhe duan të shohin nëse bashkëpunimi është i mundur.

Social Demokratët mposhtën ngushtë bllokun konservator CDU/CSU të kancelares Angela Merkel në zgjedhjet kombëtare të së dielës, por nuk arritën një shumicë parlamentare dhe rezultatet treguan se vendi mund të përballet me muaj negociatash midis partive për të formuar një qeveri koalicioni.

Pas 16 vitesh në pushtet, Merkel po heq dorë nga politika aktive, por do të qëndrojë në postin e saj derisa të formohet një qeveri e re.