Vendosni fjalën kyçe....

Zhvillohet takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, përfaqësuesi amerikane: Të ulen menjëherë tensionet e të gjendet zgjidhja për targat


Zv.ndihmës sekretari amerikan për Çështje e Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, është takuar sot në Bruksel me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Escobar, i cili është i dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tani për tani dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar. Ky i fundit po kështu theksoi se në mënyrë të menjëhershme duhet të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen bisedimeve, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

Takimi i sotëm në Bruksel po zhvillohet për gjetjen e një zgjidhjeje pas tensioneve të krijuara në veri të vendit lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave të automjeteve. Prej dhetë ditësh, rrugët që çojnë në pikat kufitare të Jarinjës e Bërnjakut janë të bllokuara nga serbët e Kosovës. Po kështu zyrat e targave në Zubin Potok e Zveçan u sulmuan nga serbët e Kosovës.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për reciproicitetin e targave erdhi pas skadimit të një marrëveshjeje të 15 shtatori 2014 mes dy vendeve. Kryeministri Kurti ka pohuar se i ka ofruar Serbisë heqjen e dykahshme të targave po kjo është kundërshtuar nga Beogradi.