Vendosni fjalën kyçe....

Socialistët mblidhen online, demokratët kërkojnë prani fizike në komisione, Pëllumbi: Vetëm pas vaksinimit  


Partia Socialiste ka mbledhur online Komisionin e Veprimtarive Prodhuese  që drejtohet nga Arbën Pëllumbi.

Deputetët e PD-së ishin të pranishëm fizikisht në sallën e Kuvendit ashtu siç kishin paralajëruar më herët.

Kreu i komisionit Pëllumbi tha se mbledhja po zhvillohet online pas vendimit të marrë nga konferenca e kryetarëve e kjo do vijojë deri në vaksinimin e deputetëve.

“Nisim me mbledhjen e parë të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, për një realizim sa më të mirë të detyrave, objektivave dhe besimit që na kanë dhënë qytetarët. Në bazë të vendimit të konferencës së kryetarëve është marrë vendimi që mbledhjet e komisioneve do të mbahet online. Kolegët e opozitës ndodhen pezent në sallë. Qëndrimi i tyre tashmë dihet. Unë do të kisha dëshiruar që në mbledhjen e parë hapëse të ishim të gjithë bashkë dhe ta kishim zhvilluar atë sa më normalisht të ishte e mundur, por nuk varet nga unë. Kemi një vendim të kryesisë dhe unë dua ta zbatoj. Ne kemi kërkuar që të gjithë deputetët të kryejnë procesin e vaksinimit dhe jam i bindur që me kryerjen e këtij procesi do të bëhet i mundur dhe që mbledhjet tona të kryhen në ambientet fizike.” – tha ai.

Ndërkohë përfaqësuesi i PD-së, Bushati, u bëri thirrje socialistëve që të marrin pjesë fizikisht në komisione për të diskutuar problemet e vendit.

“Ne kemi kërkuar prezencën fizike. Kërkojmë që edhe anëtarët e PS, në vend që të jenë nëpër bare apo avionë, të jenë në brendësi të problematikave që bëhen këtu. Mbledhjet duhet të bëhen me prezencë fizike. “Ne do të jemi në ambientet fizike për të kthyer oprizarizmit. Edi Rama dhe 40 hajdutët e tij s’do të marrin peng Shqipërinë dhe qytetarët.” – tha Bushati.