Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu: Nga e hëna, certifikata e vaksinimit e detyrueshme për arsimtarët, ose test i përjavshëm


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, u ka bërë apel të gjithë arsimtarëve që ende nuk janë vaksinuar, studentëve e pedagogëve, të paraqiten në qendrën më të afërt të vaksinimit për të kryer vaksinën kundër COVID-19.

Ministrja theksoi se ditën e hënë hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit.

“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët.”- deklaroi Manastirliu gjatë një vizite në qendën shëndetësore nr.4 në Tiranë.

Ministrja sqaroi se në mungesë të certifikatës së vaksinimit do të duhet të paraqitet testi i përjavshëm nga mësuesit derisa të kryejnë vaksinën, si dhe si xgjidhje ofrohet dhe mësimi online për studentët ende të pavaksinuar.

“Për arsimtarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga COVID19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin.”-  tha Manastirliu.