Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Rama t’i kërkojë falje popullit për varfërinë që i ka shkaktuar


Kreu i PD Lulzim Basha i ka bërë autopsinë, siç tha ai kufomës së qeverisë shqiptare, me bisturitë e partnerëve ndërkombëtarë duke cituar raporte ndërkombëtare për gjendjen ekonomike në vend.

Ai tha nga foltorja e parlamentit se demokracia shqiptare ka vdekur dhe se ekzekutori i fundit dhe i vetëm është Rama.

Basha i bëri thirrje Ramës që t’i kërkojë popullit falje për varfërinë ku ndodhet.

Nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur, për t’iu mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të lirë, askush në bilancin e tij të zi nuk do të kishte shansin të dilte më në këtë foltore, madje as të ishte në sallë duke përsëritur gënjeshtra të reja për të amnistuar krime të reja. Ai që është ulur mbrapa do thoshte që këto janë fjalë, që gjërat po shkojnë mirë, se këto që unë shpreh janë pjesë e lojës së vjetër pozitë-opozitë e me radhë. Por a është e vërtetë kjo? A janë këto që deklaroj sot para jush, subjektivitete, produkt i verbërisë së opozitës që nxika gjithçka siç thotë ai dhe kasnecët e tij. Për t’i dhënë përfitimin e dyshimit, më lejoni t’ia bëj autopsinë kufomës së kësaj qeverie, jo me bisturitë tona, por me ato të partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Sipas Eurostat, Shqipëria vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë. Nga Eurostati vijnë edhe shifrat për eksodin masiv të shqiptarëve, sipas të cilave ke konkuruar me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës gjatë keqqeverisjes tënde. Ky është realiteti. Në vend që të ulni kokën e të kërkoni ndjesë keni pacipësinë të mburreni. Së paku këtë t’jua kishit kursyer shqiptarëve: mburrjet dhe vetëlavdërimet mbi varfërinë, që janë për njerëzit e thjeshtë njësoj si t’ju rrotullosh thikën në plagën e hapur”-deklaroi Basha.