Vendosni fjalën kyçe....

Nishani: Basha përçau në mënyrë fatale PD-në, peng e argat i Edi Ramës


Ish-presidenti Nishani e ka cilësuar përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së si një dhunim të rëndë të parimeve demokratike, ligjore e statutore nga ana  e kreut të saj, Basha.

Ai thekson se veprimi iu Bashës është ai i një skuthi, që është i katapultuar në krye të selisë blu, nuk ka asnjë meritë dhe po përpiqet të përçajë PD-në.

“Lulzim Basha ka vepruar si një skuth! Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrfarë meritash, vendos të përçajë në mënyrë fatale atë parti.  Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike !  Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik.” – shkruan Nishani.

Ai shton më tej se Basha është katapultuar në krye të PD-së për të asgjësuar partinë  e të djathtën shqiptare duke e quajtur atë pengun  dhe argatin e Edi Ramës në krye të PD-së.

Nishani u bën thirrje demokratëve që të mos dorëzohen përballë atij që e quan një provokim të rëndë për asgjësimin e demokracisë.

“Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë! Ky është Lulzim Basha që u katapultua politikisht me misionin e asgjesimit të Partisë Demokratike, asgjesimin e së djathtës në politikën shqiptare, asgjesimin e alternativës qeverisëse përballë së majtës, trashegimtare e stalinistëve shqiptarë filoserbe. Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike ! Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjesimin e fondamenteve me bazike të demokracisë. Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend. Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjesimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi!” – mbyll reagimin ish-presidenti Nishani.