Vendosni fjalën kyçe....

Basha i përgjigjet Berishës: Keqardhje të thellë që tezat e Ramës i kam dëgjuar prej tij, koha ilaçi më i mirë


Lulzim Basha reagon ndaj deklaratave të Sali Berishës pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat. “Keqardhje të thellë që tezat e Ramës i kam dëgjuar nga ai, koha ilaçi më i mirë”, tha mes të tjerash Basha.

“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës.

Dhimbja që ndjej në nivel personal dhe njerëzor është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha. Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetëm, regjimi i Edi Ramës.

Shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit tim të vetëm, Edi Ramës sot i kam dëgjuar nga goja e njeriut, vlerësimin e kontributin e të cilit e kam dhënë dje.”, komentoi Basha.

Berisha akuzoi sot Bashën për pazar me Ramën, ndërsa dje artikuloi idenë se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të mos merrte këtë vendim që mori.

 

Akuzat e Bashës jashtë sallës së parlamentit, pasi braktisi fjalimin e kryetares së re Lindita Nikolla:

Brenda në sallë ndodhet sot pakica që ka dhunuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Brenda në sallë ndodhen sot njerëzit që kanë minuar demokracinë shqiptare duke nisur nga Edi Rama, shkatërruesi i zgjedhjeve, i institucioneve të pavarura, i rendit kushtetues dhe i reformës në drejtësi që duhet të ishte para drejtësisë.

Para drejtësisë duhet të ishin bashkë me të, monstrat e korrupsionit që e kanë bërë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Ballkanit sipas raporteve të Departamentit të Shtetit, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, që të dy të kapur në flagrancë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Po kështu para drejtësisë dhe jo në këtë sallë duhet të ishte Taulant Balla, kryeshefi i bandave të Elbasanit, njeriu që e di gjithë bota mbarë, përfshirë dhe partnerët tanë e dinë se figuron në listën e zezë të Interpolit si një nga pikat kyçe të pastrimit të parave dhe të trafikut të drogës.

Duhet të ishin para drejtësisë dhe jo në këtë sallë autorët famëkeq të dosjes 339, përfaqësuesit e bandave të Shijakut dhe të Durrësit dhe të Fushë Krujës, Rahman Rraja, Ilir Ndraxhi dhe Jurgis Çyrbja. Jashtë kësaj salle duhet të ishin dhe tre bedelët e Tom Doshit dhe dy bedelët e Aqif Rakipit, pjellë e paligjshmërisë dhe e PPP private të Edi Ramës me këta dy individ famëkeq të botës së krimit. Jashtë kësaj salle dhe para drejtësisë duhet të ishin po kështu të gjithë ata që kanë grabitur djersën e shqiptarëve, bukën e fëmijëve të tyre, duke u pasuruar si sheik me mafien e inceneratorëve, mafie që i ka mbyllur gojën çdo medie të pavarur, ndonëse jo gazetarëve kurajozë që kam sot përpara, njëri prej të cilëve shpreson t’i iki drejtësisë duke dorëzuar mandatin, por duke lënë brenda bedelen e tij.

Tjetri, Alqi Bllako që vazhdon të jetë në këtë sallë, që prej kohësh duhej të ishte marrë i pandehur dhe arrestuar. Kjo nuk është mazhorancë, kjo është pakica e krimit dhe korrupsionit, pesha e të cilës bie mbi shqiptarët dhe fatet e tyre. Ne kemi një dhe vetëm një detyrë, këtë sallë dhe gjithçka jashtë kësaj salle, nga Vermoshi në Konispol ta kthejmë në një fushë-betejë me dhe për qytetarët shqiptarë deri në mposhtjen dhe largimin e këtij regjimi që ka marrë peng Shqipërinë. Që po e zbraz vendin nga rinia dhe shqiptarët e ndershëm dhe që ka dorëzuar gjithçka që shqiptarët meritojnë sot dhe nesër në duart e një grushti kriminelësh, oligarkësh dhe politikanësh të korruptuar, të cilët me aktet e tyre, kanë minuar demokracinë shqiptare, janë pasuruar në mënyrë marramendëse në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe kanë shpërdoruar si asnjëherë më parë në historinë e Ballkanit fondet publike dhe kanë shkatëruar të vetmin instrument të bashkjetesës demokratike, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Sot mund të duket si një ditë e vështirë për të folur për këtë betejë sepse në fakt, të paktën brenda kësaj salle, është dhe dita e parë e kësaj beteje. Por një gjë është e sigurtë, pakica që ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve dhe që zotëron sot në menyrë të paligjshme të gjitha mjetet e pushtetit është dhe mbetet pakicë. Detyra jonë është që shumicën zëlartë dhe shumicën e heshtur të shqiptarëve ta mobilizojmë në një betejë pa kthim në mënyrë që t’i kthejmë shqiptarve vendin e tyre dhe demokraci.

Pyetje-përgjigjet me gazetarët:

Pyetje: Zoti Basha në 8 vite ju nuk ia dolët që ta mposhtni Edi Ramën dhe jeni kthyer sërish tani në atë që e quanit parlament të krimit dhe të drogës, pasi betoheshit që nuk do të ktheheshit më në parlament me kryeministrin Edi Rama. Si do ta mposhtni, duke grisur fletët e votimit?

Lulzim Basha: Detyra ime, detyra e çdo shqiptari është të bëjë gjithçka kundër të keqes. Sigurisht, pjesa ime e betejës është publike në sytë dhe në gjykimin e qytetarëve. Unë marr përgjegjësi të plotë për çdo betejë timen, për sukseset dhe dështimet e kësaj beteje, por …

Pyetje: A duhet të kishit dhënë dorëheqjen?

Lulzim Basha: Më lejoni ta mbaroj. Por kjo është një betejë që i takon çdo shqiptari dhe ku çdokush duhet dhe jam i sigurt do të bëjë pjesën e vet.

Pyetje: Zoti Basha po ju nisët një betejë me Sali Berishën. Ai ka deklaruar se do t’ju heqë ju nga partia?

Lulzim Basha: Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje. Dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që jam detyruar të marr dje është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha, por shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që është regjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për te sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve.

Pyetje: A ka një pazar mes ju dhe zotit Rama siç thotë zoti Berisha?

Lulzim Basha: Edhe njëherë shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm, timin, të Partisë Demokratike, të çdo shqiptari të ndershëm, të Edi Ramës, sot i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje, i qëndroj edhe sot.

Pyetje: A rrezikon Partia Demokratike të përçahet zoti Basha?

Lulzim Basha: Partia Demokratike nuk ka rrugë tjetër përveçse e bashkuar t’i prijë kësaj beteje për shqiptarët dhe për Shqipërinë.