Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli përgatitet për dozën e katërt, ‘cari’ i Covid-19: Mendoj se do na duhen doza të reja çdo 6 muaj


Izraeli do të fillojë përgatitjet për të bërë dozat e katërta të vaksinave të koronavirusit, ndërsa vendi po përballet me një numër të lartë rastesg pavarësisht fushatës së vaksinimit.

‘Cari’ kombëtar i koronavirusit në vend Salman Zarka tha se vendi duhet të përgatitet për një injeksion të katërt, i cili mund të modifikohet për të mbrojtur më mirë kundër llojeve të reja të virusit.

“Duke pasur parasysh që virusi është këtu dhe do të vazhdojë të jetë këtu, ne gjithashtu duhet të përgatitemi për një injeksion të katërt,” i tha ai radios publike ‘Kan’.

Muajin e kaluar, ai i tha ‘The Times of Israel’ se njerëzit duhet të presin që të bëjnë më shumë vaksina për t’u përballur me llojet e reja.

“Nëse mësojmë nga vala e katërt, duhet të marrim parasysh mundësinë e valëve të mëvonshme me llojet e reja, siç është ajo nga Amerika e Jugut,” tha ai në atë kohë.

“Duke menduar për këtë dhe zbehjen e vaksinave dhe antitrupave, duket se çdo disa muaj – mund të jetë një herë në vit ose në çdo pesë ose gjashtë muaj – do të na duhet një dozë tjetër.” – shtoi ai.

Ai shtoi se ai pret që Izraelit t’i jepen vaksina që ishin përshtatur posaçërisht për të përballuar lloje të ndryshme të virusit deri në fund të vitit 2021 ose në fillim të vitit 2022.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani