Vendosni fjalën kyçe....

7 mujori, 118 vdekje nga aksidentet në rrugë, rritje me 34 % në krahasim me 2020


Me lirimin e masave kufizuese, trafiku është rënduar dhe lëvizjet me automjete janë bërë edhe më intensive si rrjedhojë i ardhjes së emigrantëve dhe turistëve të huaj.

INSTAT raportoi sot se, në 7-mujorin e 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 118 persona nga 88 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje 34%. Edhe në krahasim me vitin normal 2019 kishte 3 fatalitete më shumë.

Në Korrik 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 175 persona nga 168 që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërsa vetëm në korrik 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 13 persona nga 14 të vdekur në Korrik 2020.

Gjithashtu në 7-mujorin e vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 1,050 persona nga 824 persona në 7-mujorin e vitit 2020.

Në korrik 2021 numërohen 114 aksidente rrugore nga 130 aksidente të ndodhura në muajin Korrik 2020, duke u ulur me 12,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 7-mujori i vitit 2021 paraqitet me një rritje prej 23,6 %, ku numërohen 785 aksidente rrugore nga 635 aksidente të ndodhura në 7-mujorin e parë të vitit 2020.

Në muajin Korrik 2021, aksidentet rrugore, në 95,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Sjellja e drejtuesit të mjetit nënkupton aksidentet që ndodhin kur drejtuesi i mjetit nuk zbaton rregullat e qarkullimit rrugor sipas “Kodit Rrugor” si: frenim i papritur, mosrespektimi i shenjave (sinjalistikës) së trafikut, mosrespektimi i normave të shpejtësisë, etj

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 27,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.  Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 20,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në shtatëmujorin e 2021, aksidentet rrugore, në 15,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Sjellja e këmbësoreve nënkupton aksidentet që ndodhin kur këmbësori nuk zbaton rregullat e qarkullimit rrugor sipas “Kodit Rrugor” si: kalim rruge pa kujdes, etj.

Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 20,6 %, krahasuar me një vit më parë.

Numri i më i madh i aksidenteve ka ndodhur ne qytete të mëdha. Tirana kryeson me gati 40 për qind të aksidenteve në rang vendi.

Pas Tiranës numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur ne qarkun e Lezhës me rreth 99 të tilla. Në këtë qark ka disa pika të zeza që vijojnë të jenë një burim i përhershëm aksidentesh. Edhe pse Shqipëria ka rritur investimet në rrugë dhe në mirëmbajtjen e tyre aksidentet rrugore vijojnë të jenë një vrasës i madh në grup-moshën e re të popullsisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor