Vendosni fjalën kyçe....

Projekti, depozitat nëntokësore të gazit në Dumre afër fshatit Vlashuk, lidhja me TAP në Dimal


Kanë dalë në dritë detajet e para të projektit për depozitat nëntokësore të gazit në zonën e Dumresë që janë lakuar disa herë në deklarata nga ana e qeverisë.

Sipas dokumentit që është mbështetur me një grant nga EU Ipa II, Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, zona e saktë ku do të vendoset depozita është në një zonë në lindje të fshatit Vlashuk, të njësisë bashkiake Kozare, Bashkisë Kuçovë në Qarkun e Beratit. Kjo zonë sipas raportit është pjesë e Dumresë, me depozitime kripore shkëmbore me shtresë shumë të trashë (formacioni kripor shkëmbor i Dumresë), ku do të zhvillohen kavernat nëntokësore.

Depozitat në vetvete do të përfshijnë pjesën kripore të poshtme si dhe impiante në pjesën e sipërme që do të sigurojnë funksionimin.

“DNG Dumrea do të përfshijë stacionin e gazit, stacionin e matjeve, nënstacionin elektrik, zonën e pusit VL-1, zonën e pusit VL-2, stacionin e pompave për marrjen e ujit, tubacionet mbledhëse të gazit dhe korridoret e ujërave të ëmbla dhe të kripura, si dhe rrugët lidhëse që të çojnë në stacionin e gazit dhe zonat e puseve”, sqaron raporti.

Këto depozita do të kenë edhe një lidhje me TAP nga ku do të merret gazi që do të transmetohet në to.

“Lidhja e DNG Dumrea me infrastrukturën e transportit të gazit u mendua të ishte lidhja me TAP-in (drejtimi jugor). Pika e lidhjes së tubacionit lidhës të DNG Dumrea do të sigurohet në ABV30, që është struktura ekzistuese (stacioni i valvulave të bllokimit) në tubacionin e TAP-it në zonën e Dimalit(Ura Vajgurore, Kuçovë). Gjatësia e tubacionit lidhës do të jetë afërsisht 14.5 km”, vlerëson dokumenti.

I njëjti sqaron se sipas  gjetjeve nga analiza e ofertës dhe kërkesës për gaz, për DNG-në është përcaktuar që sasia maksimale e injektimit  të jetë 113.000 m3/orë dhe sasia maksimale e marrjes së gazit 190.000 m3/orë.

“Depozita nëntokësore e gazit mundëson uljen e kostos së përgjithshme të furnizimit me gaz për konsumatorët fundorë nëpërmjet ofrimit të shërbimeve shtesë në tregjet e gazit, si fleksibiliteti i ofertës dhe kërkesës, dhe krijimi i mundësive përkatëse të tregtimit. I gjithë gazi për konsum në të ardhmen në Shqipëri do të furnizohet nga Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP, i cili ka përfunduar dhe ka filluar operimin tregtar) dhe Gazsjellësi Adriatiko-Jonian (IAP). DNG Dumrea synon të përmirësojë dhe lehtësojë furnizimin me gaz në Shqipëri, dhe mundësisht në vendet e rajonit për të mbuluar pikun e kërkesave, për të balancuar ndryshimet sezonale dhe për të ndërlidhur furnizimin me gaz të vendeve të Ballkanit nga Lindja e Mesme dhe Rajoni i Kaspikut. Nëpërmjet lidhjes së DNG Dumrea në rrjetet rajonale të gazit, si TAP dhe IAP, Shqipëria mund të sigurojë struktura rajonale depozituese për vendet fqinje” nënvizon raporti.

Aktualisht në Shqipëri kalon gazsjellësi TAP i cili ka nisur operacionet tregtare që nga nëntori i vitit të shkuar ndërkohë që së fundmi qeveria ka deklaruar se do të avancohet edhe me projektin IAP që është një projekt rajonal që nis nga Shqipëria deri në Split të Kroacisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor