Vendosni fjalën kyçe....

Cili jeni ju, zoti Buzuku?


Nga Ardian Vehbiu*

Më doli përpara në Facebook, kushedi pse, një videoklip i vitit 2017, ku një zv. ministër i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Maksuti, i ftuar në emisionin “Shkurt e shqip”, ka saktësuar diçka jo shumë të njohur, dhe pikërisht se “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar Marin Barleti.”

Disa kishin qeshur me këtë, të tjerë kishin qarë. Ndonjë tjetër do të ketë menduar se aura që rrethon entitete të tilla si “Gjon Buzuku” dhe “Meshari” në imagjinatën kombëtariste e përligj hipotezën që jo vetëm Meshari, por edhe autori i tij Gjon Buzuku të jenë “shkruar” nga dikush, edhe nëse është kështu, atëherë pse jo nga Marin Barleti, ose ai që ka shkruar “Skënderbeun”?

Çështja është më e ngatërruar se ç’duket, ose të paktën se ç’u duket atyre që mjaftohen me “faktin” që Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar Gjon Buzuku. Duke nisur nga “fakti” tjetër, që këtë Gjon Buzukun e njohim – si personalitet të klerit dhe të letrave shqip – vetëm e vetëm ngaqë i shfaqet emri te kolofoni i kopjes së vetme të Mesharit.

Pra, kemi një libër – Mesharin, titull që librit ia ka vënë “zbuluesi” i tij Gjon Kazazi; dhe në libër përmendet emri i autorit përkatës, Gjon Buzuku. Më tej për këtë person nuk dimë asgjë. Gjykojmë se Gjon Buzuku e ka shkruar tekstin e Mesharit, por njëlloj mund të gjykonim edhe se Meshari e ka “shkruar” Gjon Buzukun – nëse do të pranojmë se tek e vërteta arrihet duke kaluar nga e njohura te më pak e njohura.

Po Marin Barleti ç’hyn këtu? A mund ta ketë shkruar ai, në mos Mesharin, atëherë të paktën Gjon Buzukun? Kësaj pyetjeje s’i jepet dot përgjigje e prerë, por mbase është vendi të kujtohet se një studiues bashkëkohor, Ilia Karanxha, është përpjekur të provojë se Marin Barleti nuk është veçse pseudonimi i humanistit të madh shkodran Marin Becikemi (oh, no). Po të ishte kjo e vërtetë, atëherë nuk do gabonim po të thoshim se Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarvm principis të Marin Barletit e ka shkruar Marin Becikemi; madje të shkonim edhe më tej dhe ta pranonim që Mesharin e Gjon Buzukut “nga Marin Barleti” e ka shkruar, në analizë të fundit, edhe atë Marin Becikemi.

Gabim? Çështja mbetet e hapur; madje mendjet kureshtare që tani do të kenë filluar të pyesin se kush e ka shkruar Marin Becikemin?

Arsyeja e gjithë këtij pështjellimi është, besoj unë, se Kinostudioja “Shqipëria e Re” nuk arriti të bëjë një film për Gjon Buzukun, duke i dhënë këtij fytyrë, zë dhe prani skenike. Në film, autori i Mesharit do të tregohej duke shkruar – çfarë tjetër – Mesharin, nën dritën e qiririt, pastaj do t’ia behnin turqit dhe do t’i vinin zjarrin abacisë (fjalë që vjen nga shqipja abecé), teksa Buzuku vetë (Mirush Kabashi), mjekërpërzhitur, me mollëza të nxira nga tymi dhe i mbështjellë me zhgun, do t’i drejtohej tradhtarit që i pat sjellë turqit tek abacia me këto fjalë: “Çfarë është ky meshar që kërkoni? Mos e keni fjalën për meshtarin? Meshtari jam unë këtu, që po hap një etapë të re në lëvrimin e gjuhës shqipe si gjuhë kulture.” Në film gjithashtu do të zbulohej se spiunllëkun për vendin ku ish tërhequr Buzuku për pak hapësirë krijuese, e pat bërë botuesi i tij pirat në Venedik, i cili shpresonte që ashtu të mos ia paguante honorarin (Venediku njihej për politikën e rreptë kundër informalitetit në botime). Kjo do të shpjegonte edhe pse Mesharit i mungojnë 16 faqet e para dhe kopertina.

Ky film çuditërisht do të qarkullonte me titullin Meshtari i Gjon Buzukut dhe do të bëhej shkas që një numër fëmijësh, në Shqipërinë përkatëse, do t’i quanin fëmijët e tyre Meshtar, ose ndonjëherë edhe Gjonbuzuk.

Ky film nuk u bë kurrë, edhe pse thuhet që drejtoria e Kinostudios pat kontaktuar aktorin frëng Michel Piccoli, për t’i propozuar rolin e Gjon Buzukut – jo të “meshtarit”, siç thuhet ndonjëherë; por Piccoli-ja refuzoi sepse, siç përsiatën tabloidët e Parisit, nuk e pëlqente muzikën me buzuk.

Që prej incidentit me Bekim Maksutin, ministrat dhe shtetarët e tjerë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut flitet se janë porositur që, kur të detyrohen të flasin për Mesharin në emisione televizive gjeneraliste, të shpjegojnë për publikun se autori i asaj vepre, i njohur me emrin Gjon Buzuku, nuk është veçse një tërësi karakteristikash tekstuale (ose kufizimesh formale, për ta thënë me Foucault-in), të cilat e lejojnë lexuesin t’ia atribuojë përgjegjësitë përkatëse një entiteti fiktiv të pajisur me emër dhe mbiemër thjesht për lehtësi përdorimi; dhe se, sa kohë që dikush nuk e ka lexuar librin, thënia se Mesharin e ka shkruar Gjon Buzuku ka po aq kuptim sa edhe thënia që Gjon Buzukun e ka shkruar Marin Barleti dhe thënia tjetër që Marin Barletin e ka shkruar Marin Becikemi; meqë autori i një vepre si Meshari nuk mund të përftohet si entitet përveçse në procesin e leximit, duke mbetur i brendashkruar te ky proces.

Thelbin e këtij qëndrimi kulturor si me thënë mbarëkombëtar e përmbledh pyetja kuptimplote: A asht autor Gjon Buzuku?

Të cilën mund ta ketë formuluar, por mund edhe të mos e ketë formuluar Krist Maloki.

*Shkrimi është pronësi intelektuale e “Peizazhe të fjalës”