Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshon trupa gjykuese e dosjes së Adriatik Llallës, dorëhiqen dy gjyqtarë


Ndryshon trupi gjykues i ish-prokurorit Adriatik Llalla, në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Mësohet se janë dorëhequr dy gjyqtarët e çështjes Saida Dollani dhe Dhimitër Lara, për arsye që nuk dihen ende.

Këta të dy, do të zëvendësohen me gjyqtarët Enton Dhimitri dhe Miliana Muça. Pjesë e trupës gjykuese është edhe Nertina Kosova, e cila ishte e vetmja që nuk u dorëhoq.

Seanca për Adriatik Llallën në Apelin e GJKKO-së është shtyrë për në datë 16 korrik, pasi avokati i ish-kryeprokurorit kërkoi kohë për t’u mbrojtur.

Kujtojmë se ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u dënua më 20 maj me 2 vite burg dhe me 5 vite heqje e të drejtës për të kandiduar në funksione publike për “fshehje të pasurisë”.

Gjithashtu, Gjykata vendosi për sekuestrimin e mbi 20 mijë metra katrorë tokë në pronësi të ish-kryeprokurorit dhe një apartamenti në Durrës.

Adriatik Llalla me këtë vendim u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend.