Vendosni fjalën kyçe....

Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia


Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë. Kjo ka ardhur pas rrembimit të tre policëve kufitarë në veri.

Duket se masa e parë kundër Serbisë pas rrembimit të tre policëve tashmë ka ardhur.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalet importi i mallrave nga Republika e Serbisë.

Në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti që e ka quajtur edhe “agresion” edhe synim për destabilizim.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, ka thënë Kurti.

Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të cilët kanë kërkuar nga organet ndërkombëtare lirimin e menjëhershëm të tyre

Kujtojmë se tarifa doganore 100% ishte marrë nga Qeveria Haradinaj pas dëshimit të Kosovës për të hyrë në UNESCO.

Kjo politikë ishte mbështetur edhe nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje, por të cilët kishin propozuar masën e Reciprocitetit të plotë tregtar, ekonomik dhe politik me Serbinë.

Sidoqoftë, do të ishte vetë Kurti ai që do të hiqte taksën 100% ndaj mallrave serbe në mars dhe prill të vitit 2020 si kryeministër në Qeverinë Kurti I.

Megjithatë, ai do të rrëzohej në atë kohë nga pushteti por do të premtonte se menjëherë pas ardhjes në pushtet (çështje ditësh e javësh, por kurrësesi muajsh) do të vendoste Reciprocitetin.

Kryeminsitri Kurti kishte ardhur në pushtet sërish pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, por deri tash nuk e ka realizuar premtimin e Reciprocitetit. Madje, ka pasur shumë kritika ndaj Qeverisë së tij për rritjen e importeve nga Serbia gjatë periudhës sa është në krye të Qeverisë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në janar të vitit 2023, vlera e mallrave të importuara nga Serbia ishte 17 milionë 870 mijë euro. Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2022, vlera e importuar nga shteti fqinj ishte 1 milion e 523 mijë euro më e lartë.

Brenda një viti Kosova ka importuar mallra nga Serbia afro 400 milionë euro .

Nëse llogaritet vlera totale e importit nga Serbia gjatë vitit të kaluar, rezulton në një vlerë mbi 1 milion euro në ditë.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, top produktet e importuara nga Serbia gjatë vitit 2022 ishin pijet freskuese, gruri, benzina dhe vajrat, demat, biskotat, kontinerët, misri, ushqimi për kafsh, etj.

Nëse krahasojmë me importin, eksporti i Kosovës në Serbi është shumë më i vogël. Vetëm 60.7 milionë euro eksportoi Kosova drejt këtij shteti në vitin 2022.

Vlera e lartë e importit nga ky shtet u përdor shpesh nga opozita për të akuzuar pushtetin se nën qeverisjen e tyre tregu kosovar po pushtohet nga produktet serbe.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor