Vendosni fjalën kyçe....

Meta viziton Shtëpinë e Fëmijëve në Sarandë: Të mos i ndalim përpjekjet për integrimin e plotë të jetimëve në shoqëri


Presidenti i vendit Ilir Meta ka vizituar sot Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla” në Sarandë. Ai është takuar atje me shumë fëmijë, me të cilët ka biseduar për ëndrrat e tyre.

Në një postim në “Facebook” ku ka ndarë edhe disa foto nga vizita e tij, Meta shkruan se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet e përbashkëta për integrimin e plotë të jetimëve në shoqëri.

“Kënaqësi e veçantë të vizitoja sot Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla” në Sarandë, një nga institucionet model dhe më të hershme të arsimit dhe edukimit në vendin tonë, që 74 vjet më parë hapi dyert për bijat dhe bijtë e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe fëmijët e mbetur jetim nga lufta, për t’u shndërruar ndër vite dhe deri në kohët e sotme, në strehën e ngrohtë familjare të qindra vogëlushëve pa kujdes prindëror, që u rritën si qytetarë të denjë dhe shkëlqyen në fusha të ndryshme të jetës si profesionistë të zotë.

U takova ngrohtësisht me shumë fëmijë dhe biseduam çiltërsisht për ëndrrat e tyre shumëngjyrshe, që meritojnë të realizohen plotësisht në Atdheun e tyre.
Të mos i ndalim përpjekjet e përbashkëta për integrimin e plotë të jetimëve në shoqëri, që të rriten të shëndetshëm, të edukuar e të arsimuar, për të gëzuar të sotmen e sigurt dhe të ardhmen e lumtur, në një Shqipëri europiane, më të dhembshur dhe më njerëzore, që i mbron dhe i promovon vlerat tona më të mëdha kombëtare, humanizmin, solidaritetin dhe dashurinë në veprim.”-
shkruan Meta.