Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrohen prona me vlerë 3 milionë euro në Durrës, u përkasin dy vëllezërve Sallaku e një të treti (Emrat)


Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pronave të dy vëllezërve e një personi tjetër që kapin vlerën rreth 3 milionë euro.

Sipas gjykatës, pronat e sekuestuara janë të shtetasve Gëzim Sallaku, Sajmir Sallaku e Rabi Kurti, banues në Durrës.

Pronat e sekuestruara janë shoqëria GSA Sallaku, 2 apartamente në Durrës. 20 mijë metra katrorë tokë, 1000 metra katrot truall ku janë ndërtuar banesa me sipërfaqe mbi 140 metra katrorë, një godinë dykatëshe e 2 apartamente në Durrës e 13 automjete.

Tre personat e lartpërmendur akuzohen për pastrim parash.

Biznesmeni Gëzim Sallaku është dëbuar nga autoritetet italiane më 19 shkurt të këtij viti, pasi konsiderohej si i rrezikshëm nga policia e Breshias.

Sallaku ka qenë u përfshirë më herët në mashtrime lidhur me shitjen e makinave të vjedhura ndërsa është hetuar për mashtrim e evazion fiskal e armëmbajtje. Në vitin 2018, Gëzim Sallaku është arrestuar bashkë me 4 vëllezërit e tij për shitje lëndësh narkotike.

Rabi Kurti nga ana e tij është arrestuar në shtator të vitit 2019, si pjesë e një grupi biznesmenësh që kishin krijuar një skemë mashtrimi me rimbursimin fiktiv të TVSH-së. Aa u akuzuan asokohe për një dëm rreth 30 milionë euro ndaj buxhetit të shtetit.

Njoftimi

“Vendoset sekuestro preventive mbi disa prona që kapin vlerën rreth 3 milionë euro, në pronësi të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër.

Në vijim të punës për identifikimin,  gjurmimin, gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale në fushën e pastrimit të parave, pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe profesionale të kryer nga Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë i mundur finalizimi i hetimeve 3-vjeçare në ngarkim të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore.

Si rezultat i hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sekuestron preventive për pronat e shtetasve Gëzim Sallaku, Sajmir Sallaku dhe Rabi Kurti., banues në Durrës, prona të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku, të cilat janë të regjistruara edhe në emër të shtetasve Sajmir Sallaku dhe Rabi Kurti, konkretisht:

– Sekuestro 100% të aksioneve të shoqërisë ‘GSA Sallaku’ sh.p.k, me aktivitet ‘Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj’, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku;

– 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.;

13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare ‘GSA Sallaku’.   

Vazhdon puna nga Njësia e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre personave dhe lidhjeve të tyre familjare dhe shoqërore.

Shtetasi Gëzim Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999 – 2008. 

Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të shtetasve të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale’.

Materialet për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.”