Vendosni fjalën kyçe....

“Dubai i Europës”, Parlamenti i Danimarkës miraton ndërtimin e ishullit artificial për 35 mijë njerëz


Deputetët e Danimarkës e kanë miratuar planin për ndërtimin e një ishulli artificial për të strehuar 35 mijë njerëz dhe për të mbrojtur portin e Kopenhagenit nga ngritja e niveleve të detit.

Siç shkruan BBC, ishulli gjigand, i quajtur Lynetteholm, do të lidhet me kontinentin përmes një unaze, tunelesh dhe një linje metroje.

Miratimi nga parlamenti i Danimarkës i hap rrugën projektit që të fillojë më vonë këtë vit. Sipërfaqja e ishullit artificial parashikohet të jetë 2.6 kilometra katrorë.

Mirëpo ky projekt po përballet me kundërshtim nga ambientalistët që kanë shqetësime mbi ndikimin e ndërtimit të tij.

Planet për Lynetteholm, që është quajtur ndryshe edhe si “Dubai i Europës” përfshijnë një sistem digash rreth perimetrit të tij, me synimin për të mbrojtur portin nga ngritja e niveleve të detit dhe dallgëve të stuhisë.

Nëse ndërtimi vazhdon siç është planifikuar, shumica e themeleve për ishullin jashtë kryeqytetit të Danimarkës duhet të ekzistojnë deri në vitin 2035, me qëllim për të përfunduar plotësisht projektin deri në vitin 2070.

Por grupet mjedisore e kanë dërguar çështjen para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.  Në mesin e shqetësimeve të tyre është transportimi i materialeve përmes rrugëve, që do të përfshinte një numër të madh të automjeteve.

Ndërtimi i këtij ishulli artificial, i cili e ka sipërfaqen sa 400 fusha futbolli, do të kërkonte rreth 80 milionë tonë dhe.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime midis ambientalistëve në lidhje me lëvizjen e sedimenteve në det dhe ndikimin e mundshëm në ekosistemet dhe cilësinë e ujit.

Protestuesit u mblodhën jashtë ndërtesës së parlamentit në Kopenhagenit kur projektligji kaloi të Premten me një shumicë votash: 85 pro dhe 12 kundër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *