Vendosni fjalën kyçe....

“Mësuesi humb vendin e punës nëse infektohet” – Flet Rama: “Këto janë absurditete!”


Pas pyetjeve të gazetarëve, kryeministri Edi Rama iu përgjigj zërave se mësuesit kanë frikë se do të humbasin vendet e punës në rast se infektohen nga koronavirusi, gjë të cilën e konsideron “absurditet”.

Po ashtu një gazetare e pyeti edhe për lajmet se mësuesit në disa shkolla nuk paraqiten në mësim sepse janë të infektuar, por që nuk janë përfshirë në statistikat zyrtare si të infektuar.

Rama u bëri thirrje gazetarëve dhe qytetarëve, që të mbështeten vetëm në të dhënat zyrtare dhe të mos bien pre e lajmeve të rreme.

Së pari është një absurditet i madh që të thuhet nga cilido që e ka thënë, se: ‘nëse infekohem me Covid humb vendin e punës’.

Ky është një absurd që mund të tingëllojë normal në aktet absurde të teatrit të Lulzim Bashës me aktorë që shfaqen rreth tij dhe që faktikisht ndërkohë që kanë një profesion të caktuar në jetën e përditshme rreth tij vijnë si fanatikë të partisë që flasin dhe absurditete.

Kush mund ta konceptojë dhe jo më ta besojë që mësuesi humbka vendin e punës në rast se sëmurëtt. Është një marrëzi e madhe, nuk ka të tilla.

Ndërsa për prindërit që thonë që fshihen rastet, edhe ky është një absurd total. Nuk ka shans që të ketë raste për t’u konsideruar nga sistemi dhe sistemi të mos i konsideroj. Flas këtu për sistemin Shëndetësor. Nuk ka shans.

Janë gjëra që fatkeqësisht thuhen midis morisë së gjërave që fliten pa bazë në këto kushte. Prandaj u bëj thirrje t’u referohen të dhënave zyrtare, të mbrohen nga virusi dhe nga lajmet e rreme sepse unë e kuptoj patjetër stresin dhe ankthin. E kuptoj se nuk ka ankth më të madh se ankthi i prindit për fëmijët. Por nuk mund ta imagjinoj dhe jo më të ndodhë që mësuesit të humbasin vendet e punës nëse sëmuren apo të largohen pa adresë dhe të mos deklarohen në rast se janë persona të infektuar. Ka dhe raste, siç ka gjithandej raste kur dikush pranë teje është i prekur në familjen tënde dhe për këtë shkak ti karantinohesh. Është gjëja më normale që mund të ndodhë.”- tha Rama.