Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj i përgjigjet Metës: Po nxit militantët e LSI-së të hiqen si banorë të Zall Herrit, ti e more përgjigjen më 25 prill


Bashkia e Tiranës i është përgjigjur presidentit Meta pas deklaratës së tij lidhur me prishjet e ndërtimeve të dëmtuara nga tërmeti në Zall Herr e Kombinat.

Sipas bashkisë, presidenti po nxit shërbëtorët e partisë së tij sipas një plani të përcaktuar që të pengojnë procesin e rindërtimit në Zall Herr.

Më tej në deklaratë thuhet se nxitja e militantëve të LSI-së që të hiqen si banorë të zonës është e turpshme e kriminale duke i bërë thirrje prokurorisë që të hetojë rastin në fjalë.

Në fund të deklaratës, bashkia thotë se banorët e Zall Herrit do marrin në pronësi shtëpitë e reja në një lagje që do ndërtohet posaçërisht për ta njësoj si banorët e Ndroqit apo Vaqarrit.

Deklarata

“Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Presidenti i Republikës vijon të nxisë, sipas një plani të përcaktuar, shërbëtorë të partisë së tij, për të penguar dhe prishur procesin e rindërtimit në Zall-Herr, duke vonuar me dashje, edhe më tej, futjen në shtëpitë e reja të banorëve të zonës, të cilët po presin me padurim të marrin banesat e tyre.

Aktet e fundit të Presidentit të Republikës minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019.

Yshtja e militantëve të LSI-së, që hiqen gjoja si banorë të zonës, për t’i siguruar Presidentit postimin dhe lajmet e radhës në portale, është e turpshme, kriminale dhe duhet të ndiqet nga organet hetimore.

Familjet e Zall Herrit, të prekura nga tërmeti, do të marrin në pronësi shtëpitë e reja, në një lagje të ndërtuar posaçërisht për ta, me infrastrukturë dhe shërbime model, në tokë që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, njësoj si banorët e Ndroqit apo Vaqarrit.

Një President, i cili i ka pajisur vilat e tij me nga 9 banjo për macen, por s’ka marrë mundimin të ndërtojë qoftë edhe një shtëpi për një familje nga Zall-Herri, nuk ka asnjë të drejtë të bllokojë dhe pengojë punën për rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura nga tërmeti.

Shqiptarët e dhanë mesazhin e tyre për këtë President në 25 prill, ndaj s’është nevoja dhe nuk do të lejohet që ky të hakmerret ndaj tyre duke u penguar ndërtimin e shtëpive.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *