Vendosni fjalën kyçe....

Tërhiqet nga gara për kreun e PD-së Lisandër Hoxha: S’dua të legjitimoj një farsë, gara e pabarabartë


Lisandër Hoxha, një nga emrat e përfolur si kandidat është tërhequr nga gara për kreun e PD-së.

Ish-nënkryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, thotë se arsyeja pse po tërhiqet nga kandidimi është sepse nuk e konsideron garën në PD të hapur dhe të barabartë.

Hoxha thekson se do të futej në garë nëse çdo anëtar i PD-së do kishte të drejtë vote dhe nëse ky proces sipas tij nuk do të kontrollohej nga një komision i njëanshëm dhe një rregullore antidemokratike.

Hoxha thotë se sot në PD nuk ka garë sepse më 13 Qershor nuk kanë të drejtë vote 20 mijë anëtarët e FRPD-së dhe sepse me mijëra anëtarë sipas tij janë të fshirë si “pasiv” nga sistemi vetëm për qëllime kalkulimi.

REAGIMI I HOXHËS

Të dashur miq, ju falenderoj përzemërsisht për mesazhet dhe urimet tuaja inkurajuese pas daljes në media të lajmit sa i takon kandidimit tim për Kryetar të Partisë Demokratike!
E kam menduar vërtet gjatë këtë mundesi, duke patur parasysh idenë time se vetëm të rinjtë kanë mundësinë të ringrenë PD në kuotat e fitores. Jam menduar mbi ato që sot po i ndodhin të rinjve në mbarë vendin duke e kthyer Shqipërinë në Sirinë e Europës, ku për çdo 100 të rinj, 80 duan të largohen.
Kam dëgjuar për 8 vite shqetësimet e prodhuara nga një qeveri që i ka braktisur shqiptarët dhe kam parë me sy dhunën ndaj lirive, pronës dhe dinjitetit njerëzor për çdo kategori të shoqërisë sonë.
25 Prilli ishte një mundësi e artë për të çliruar vendin nga mafia me kollare, e cila po grabit edhe djersën në ballin e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Ajo mundësi humbi nga një model drejtuesish hipokritë, që të gjithë hallin e kishin tek ndarja e ministrive, drejtorive dhe premtimet korruptive të babëzisë prej maskarai dhe jo të atyre që duan të sjellin ndryshimin. Ai shans i iku vendit nga një sjellje arrogante e ekipit drejtues, të cilët u mbyllën në një rreth vicioz urimesh dhe gënjeshtrash, të cilat e lanë lidershipin e PD në një botë imagjinare si Liza në botën e çudirave. Demokratët mbetën 12 vite në opozitë, të mundur, të përçarë dhe të tradhëtuar. Ne mbetëm peng tek Rilindja dhe sektet Neo Marksiste, të cilat duan ta blejnë Ballkanin Perëndimor dhe ta sundojnë atë me modelin e ylberit. Premtimet me ylber bashkëqeverisës dhe marrëveshjet prej stabilokrati po e lënë vendin tonë të fundit në Europë për të ardhurat për frymë. Po i lënë arat djerrë, po i lënë njerëzit në borxhe dhe kanë sjellë vetëm stres, ankth dhe humbje të shpresës dhe besimit në shoqëri se modeli i opozitës virtuale do e mundë ndonjëherë këtë qeveri në zgjedhje.

Për këto arsye hartova një platformë të zgjidhjes së shpejtë, e cila bazohet në disa hapa konkretë se si çmontohet Rilindja dhe mekanizmi i tyre elektoral. E para fillon me bashkimin e së djathtës në një koalicion të ri moral mbi vlerat që na mbajnë bashkë.

Së dyti, rikompozim i të gjitha strukturave të Partisë Demokratike nën një frymë tjetër të funksionalizmit dhe organizimit në terren.

Së treti, krijimi i kushteve të besimit përmes kolegjalitetit funksional në të gjitha organet e reja të partisë duke bërë aksionin politik një sipërmarrje gjigande dhe jo një nismë të paqartë të një grupi të vogël. Së katërti, do të riformatoja modelin e organizatave partnere, si FRPD dhe LDG, duke i bërë ato një armë të fortë në dorë të PD. Së pesti, do të filloja bashkë me qytetarët fushatën kombëtare të antikorrupsionit, duke evidentuar çdo zyrtaruc të rilindjes, i cili rrjep dhe kushtëzon qytetarët e vendit tim për përfitim personal. Së gjashti, do të filloja lëvzjen shoqërore me moton “Shqipëria është e jona” në të gjitha fakultetet dhe gjimnazet e vendit për të provokuar protestat më të mëdha kombëtare.

Së shtati, do të hapja Partinë Demokratike duke e bërë aksesin e qytetarëve në degët e saj më të lehtë se një rimbushje telefoni. Asnjë kandidat për deputet apo Kryetar Bashkie nuk do të zgjidhej nga kulisat, por do t’i nënshtrohej një propozimi dhe votimi në popull dhe jo vetëm tek anëtarët e partisë, duke rritur pranueshmërinë e secilit prej të zgjedhurve me një model tërësisht demokratik.
Së teti, do të luftoja fort për një listë të hapur 100% duke tentuar të ndryshoj Kodin Zgjedhor në mënyrë që çdo emigrant të ketë mundësinë e votës së garantuar.

Së nënti, do të hartoja një program qeverisës të bazuar 100% tek vlerat e së djathtës, si Liria, Prona, Familja, Shteti Ligjor, duke shmangur çdo shtojcë tjetër, e cila e nxjerr nga identiteti forcën tonë politike. Kjo, sepse besoj fort se vlerat tona janë më konkrete dhe të realizueshme se çdo program i majtë.

Së dhjeti, do të nxisja një marrëdhënie të re besimi të popullit shqiptar tek kjo forcë politike, e cila ka çdo arsye për të qenë oferta e vetme serioze dhe qeverisëse, duke iu paraqitur atyre me një model krejt të ri në koncept, ide dhe vizion se si bëhet politika në vend. Partia Demokratike ka lindur nga të rinjtë dhe e tyre duhet të jetë. Për të gjitha këto arsye mendova se kandidimi im do i jepte vlerë garës duke vendosur anëtarësinë përballë zgjedhjes së platformave më të mira për drejtimin e PD.

Ajo që sot po ndodh është vazhdimi i rrugës së vjetër të mbajtjes peng të garës përmes makinacioneve dhe arrogancës. Sot aty nuk ka garë sepse me 13 Qershor nuk kanë të drejte vote 20 mijë anëtarët e FRPD. Sot aty nuk ka garë sepse janë me mijëra anëtarë të fshirë si “pasiv” nga sistemi vetëm për qëllime kalkulimi. Sot aty nuk ka garë sepse garohet përballë një Kryetari në detyrë, i cili kontrollon të gjithë administratën e partisë, zyrën e shtypit dhe çdo aset që e bën të pabarabartë fushën e lojës.
Sot aty nuk ka garë sepse rezultati i përfundimit të saj është parashkruar dhe nuk ka asnjë mundësi që përballja të jetë reale. Unë nuk i kam ikur asnjëherë asnjë sfide dhe asnjë përgjegjësie. Me dhjetra herë jam përballur me padrejtësitë e brendshme deri aty sa kam dhënë edhe dorëheqjen nga çdo funksion në disfavor të mendësisë pragmatiste që shumica aty mban. Këtë rol e kam zgjedhur si model jete dhe nuk kam ndërmend ta ndryshoj.

Në garë do futesha nëse çdo anëtar i PD do kishte të drejtë vote dhe nëse gara nuk do të kontrollohej nga një komision i njëanshëm dhe një rregullore antidemokratike. Për këto arsye sot kam zgjedhur të mos e dorëzoj aplikimin tim për Kryetar të PD.
Kjo pasi nuk dua të legjitimoj një farsë, e cila e bën Partinë Demokratike më të vogël, humbëse dhe të shkëputur nga realiteti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *